Greqia nisi të mërkurën stërvitjen e përbashkët ushtarake me Francën, Italinë dhe Qipron në Mesdheun lindor, në fokus të tensioneve në përshkallëzim e sipër mes Athinës dhe Ankarasë.

Stërvitja e përbashkët në jug të Qipros dhe ishullit grek të Kretës do të zgjasë tre ditë. Por presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, nuk ka vonuar të reagojë. Ai  i kërkoi Greqisë të evitojë hapat që do ta çonin drejt rrënimit.

“Ne ftojmë homologët tanë të mbledhin veten dhe të mos bëjnë gabime që do t’i çonin drejt rrënimit të tyre”, u shpreh Erdogan.

Presidenti Erdogan paralajmëroi po ashtu se Turqia nuk do të bëjë asnjë lëshim në Mesdheun lindor.

“Ne nuk ia kemi vënë syrin një territorit, sovranitetit dhe interesave të dikujt tjetër. Por ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim për atë që është e jona”.

Tensionet po rriten në ujërat e Mesdheut lindor ndërkohë që Greqia dhe Turqia, të dyja vende aleate të NATO-s, por rivale historike po shkojnë sipas shumë vëzhguesve drejt një konfrontimi të mundshëm ushtarak që do të ndizte rajonin. Mjetet ushtarake detare të të dyja vendeve kanë demonstruar forcën në rajonin e kontestuar të Mesdheut lindor ndërsa gara për gazin dhe rezervat e naftës shton një tjetër shtysë të mosmarrëveshjeve të vjetra.

Të martën, Turqia tha se është gati për bisedime me Greqinë, pa parakushte. Dega e ullirit erdhi para një takimi jo formal të ministrave të Jashtëm të BE-së që do të mbahet në Berlin të enjten dhe të premten, në të cilën Greqia pritet t’i bëjë presion bllokut për të vendosur sanksione ndaj rivalit të saj historik rajonal.

Por vendet e BE-së preferojnë të evitojnë acarimin e presidentit turk, dhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, u end mes Athinës dhe Ankarasë në përpjekje për të zbutur retorikat dhe për të nisur dialogun. Maas, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të BE-së, i tha të dyja vendeve të zbusin qëndrimet përndryshe rrezikohet ndezja e një katastrofe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA