Rikthehet koronavirusi/ Spanjë, frikë nga një izolim tjetër

25/08/2020 12:23

Ndërsa zyrtarët në Spanjë po përballen me rritjen e rasteve të koronavirusit, një kor zërash po paralajmëron se një izolim tjetër do të kishte pasoja të ashpra për një vend që vetëm pak muaj më parë doli nga një prej izolimeve më strikte në Evropë.

Rastet e reja të koronavirusit janë rritur në të gjithë Evropën dhe Spanja ka udhëhequr ditët e fundit. Më shumë se 78 mijë raste janë konfirmuar në vetëm dy javët e kaluara duke e çuar shkallën e infektimeve për një periudhë 14 ditore në 166 për 100 mijë banorë, krahasuar me 67 për 100 mijë banorë që është në Francë dhe 22 për 100 mijë që është në Britani. Rritja e vazhdueshme ka kthyer spektrin e izolimeve të reja në javët e ardhshme, veçanërisht në Madrid, ku sindikatat kanë paralajmëruar se sistemi i kujdesit parësor është pranë kolapsit për shkak të mungesës së stafit dhe burimeve testuese.

Nëse gjërat vazhdojnë kështu, mund të detyrohemi të rikthejmë ndonjë lloj izolimi, ndoshta të pjesshëm” – kanë thënë zyrtarë të shëndetësisë. Ndërsa ekspertët e shëndetit publik thonë se vendi është në një moment kritik, shoqatat e biznesit paralajmërojnë se këto të fundit nuk e kanë ngritur ende kokën nga izolimi i mëparshëm që shkaktoi një nga recesionet më të thella në histori. Psikologët në anën tjetër i kanë rënë kambanave të alarmit duke nënvizuar se shumëkush në Spanjë mund të përjetojë pasoja të rënda në shëndetin mendor në rast kufizimesh të reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA