Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e Testit të Maturës me datën 29 gusht, përfshirë këtu edhe masat për mbrojtje nga COVID-19.
Në çdo klasë nuk do të lejohen më shumë se 12 nxënës e të gjithë duhet të jenë të pajisur me maska.Për dallim nga vitet e kaluara kur testi është mbajtur në dy pjesë, këtë vit për shkak të pandemisë maturantët do të mbajnë testin vetëm në një ditë. Mbi 26 mijë maturantë do të kenë 100 pyetje nga katër lëndë, ku kalueshmëria e këtij Testi do të jetë 40 pikë nga 100 pyetjet.Shefi i Divizionit për Vlerësim në MASh, Fatmir Elezi, në një intervistë për KosovaPress thotë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e këtij testimi.
“Për shkak të COVID-19 këtë vit testi mbahet vetëm një ditë, do të thotë edhe pjesa e parë edhe pjesa e dytë e Testit janë reduktuar nga 50 pyetje, çdo lëndë në 25 pyetje, janë tri lëndët e përgjithshme me nga 25 pyetje, gjuhë shqipe, gjuhë angleze dhe matematikë, si dhe lënda e katërt e zgjedh vet nxënësi nga 12 lëndët e mundshme. Në total testi i ka 100 pyetje, testi fillon në orën 10:00 për nxënësit dhe nga momenti kur fillon të plotësojë testin, ai zgjat 150 minuta…Kriteri i kalueshmërisë është 40 përqind ose 40 pikë nga 100 pikët e mundshme”, thotë ai.
Njësitë mësimore nga 12 marsi kur është ndërprerë procesi mësimor, Elezi deklaroi se nuk janë përfshirë në Testin e Maturës.
“Përgatitjet e testit i kemi bërë, pyetjet nuk do të jenë në atë pjesën ku nxënësit e kanë ndërprerë mësimin, pra nga 12 marsi e këndej ato njësi mësimore që kanë qenë nuk do të ketë pyetje nga ato njësi mësimore. Pak është problematike ngase është një pauzë, e kuptojmë që një pauzë nga mbarimi i vitit shkollor me mbajtjen e testit, mirëpo shpresoj që këtë pauzë nxënësit e kanë përdorur që të përgatiten për Test”, theksoi ai.
Elezi potencon se si ministri i kanë marrë të gjitha masat për mbrojtje të nxënësve nga COVID-19 gjatë ditës së testimit. Testi do të mbahet në 184 qendra testuese, ku si masë mbrojtëse nga virusi ai thotë se kanë paraparë që në një klasë të mos jenë më shumë se 12 nxënës.
“Jemi munduar që çdo nxënës të pajiset me maska, do të thotë asnjë akter që është nuk do të lejohet të hyjë në test pa maskë. Përpos kësaj kemi vendosur që në klasa të mos jenë më shumë se 12 nxënës dhe përpos akterëve tjerë që i kemi pasur në qendrat e testimit me propozim të drejtorive komunale jemi dakorduar që tre persona të jenë të angazhuar në oborr të shkollës në mënyrë që t’i udhëzojë nxënësit se si të sillen, mos të lejojnë grumbullimin e nxënësve në oborr”, thotë ai.
Organizimi i Testit të Maturës në kohë pandemie, Elezi thotë se është sfidë, por që deklaron se kanë vendosur që ky testim të mbahet për shkak që nxënësit të mos përballen me probleme në të ardhmen për shkak të mos mbajtjes së tij.
“Është një sfidë, mirëpo me rekomandimet e Institutit ne kemi vendosur që testi të mbahet ngase mos mbajtja e testit do të shkaktojë dëme të tjera tek nxënësit. Si gjeneratë do të jenë një gjeneratë që nuk e kanë Testin e Maturës dhe mund t’ju shkaktojë probleme edhe viteve të tjera…Sa i përket COVID-19 janë marrë masat, nxënësit do të jenë të pajisur me maska, në çdo klasë do të ketë dezinfektues, po ashtu edhe nëpër korridore do të ketë dezinfektues, distancën besoj që do ta mbajnë brenda në klasë, distanca veç është e paraparë mbi 1 metër e gjysmë do të jetë largesa e bankave ku do të jenë të ulur nxënësit”, thotë Elezi.
Nxënësit në qendrat e testimit nuk do të lejohen të hyjnë me telefona, e posedimi i tyre gjatë mbajtjes së Testit do të ndikojë që nxënësit të përjashtohen nga testimi. Elezi potencon se për mbarëvajtjen e testimit Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka angazhuar 2 mijë e 568 administrues.
“Rregullat e përgjithshme vlejnë njësojë edhe këtë vit, do të thotë nxënësit nuk i lejohet futja e telefonave në klasa. Unë besoj që shumica e nxënësve janë të ndërgjegjshëm dhe nuk do t’i marrin fare me vete telefonat, mirëpo në rast se ndonjë nxënës ka telefon në klasë edhe nëse nuk e ka të ndezur ai duhet të përjashtohet nga testi”, potencon ai.Testit të Maturës do t’i nënshtrohen 26 mijë e 817 maturantë në nivel vendi. Ky testim ishte paraparë të mbahet me 4 korrik, por që është shtyrë për shkak të rritjes së numrit të rasteve të infektuar me COVID-19. /Kosova Press/
Top Channel