Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, para takimit me partnerët e koalicionit dhe kryeministrin Hoti që do të mbahet pasditen e sotme, deklaroi për KosovaPress se nuk ka disponim nga shumica për zgjedhje, pavarësisht se asaj nuk i tremben.

E javë më parë Lëvizja Vetëvendosje ka iniciuar edhe mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Hoti, por Mustafa thotë se mocioni është një sfidë për vetë Vetëvendosjen e jo edhe për LDK-në.

“Sa i përket iniciativës së VV për mocion, ne nuk kemi asnjë telashe të shkojmë në zgjedhje në momentin që vendos shumica. Unë nuk shoh dispononimin e shumicës për rrëzim të qeverisë dhe zgjedhje të tjera. Prandaj mocioni bie që është sfidë për Vetëvendosjen dhe jo për LDK-në, sepse atyre iu kanë mbetur letrat në duar”, tha Mustafa për KosovaPress.

Posti i presidentit është rikthyer sërish në skenën politike. Me t’u përmendur një qeveri gjithëpërfshirëse, partnerët e koalicionit nisën polemikat se kujt i takon pozita e të parit të vendit e kujt jo.

Mustafa për KosovaPress ka thënë se në partinë që ai udhëheq nuk është trajtuar pozita e presidentit. Veç kësaj ai tha çështja e presidentit nuk do të trajtohet derisa nuk do të sfidohen me mandatin kushtetues.

Me ç‘rast ka theksuar se nuk kanë kurrfarë kundërshtimesh e as pajtimesh me askënd rreth këtij posti.

“Në LDK nuk është trajtuar pozita e Presidentit dhe nuk do të trajtohet derisa nuk sfidohemi me mandatin kushtetues, prandaj edhe nuk kemi kurrfarë kundërshtimesh por as pajtimesh me askënd”, ka thënë Mustafa për KosovaPress në një përgjigje elektronike.

Ditë më parë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se është i gatshëm për postin e presidentit.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të takohet sot me liderët e partnerit të koalicionit qeverisës. Temë diskutimi me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, atë të AAK-së Ramush Haradinaj dhe kreun e NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, do të jenë zhvillimet e deritanishme në procesin e dialogut dhe pritjet për takimin e radhës në Shtëpinë e Bardhë, më 4 shtator.

Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe çështje të tjera në funksion të realizimit të programit qeverisës të dakorduan me partnerët e koalicionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA