Puna për Unazën e Madhe po vijon. Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit këtë të mërkurë shembi gjashtë objekte nga një deri në dy kate, të cilat janë të shpronësuara dhe i përkasin lotit të tretë të Tiranës.
Këto shembje i përkasin fazës së parë dhe parashikohet që të shemben edhe 10 objekte të tjera për ti hapur më tej rrugë ndërtimit të Unazës së Madhe, por ende nuk ka një datë se kur do të vijojë aksioni i dytë.
Shembjet e së mërkurës u bën me mjete të rënda dhe jo me shpërthim të kontrolluar për shkak të banesave të tjera që ishin shumë afër, me gjashtë objektet që u shembën.
Më herët në këtë lot, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, shembi edhe një pallat gjashtëkatësh, i cili ishte pengesë për vijimësinë e projektit.
Ndërkohë zyrtarisht IKMT-ja, ka njoftuar se ka përfunduar aksionin për lotin e parë dhe të dytë të Unazës së Madhe, që i përkasin zonës së Astirit, kun ë dy aksione gjatë muajit nëntor dhe janar, u shembën rreth 45 objekte. Tashmë prej disa muajsh, në Ish sheshin Shqiponja po vijon puna për ndërtimin e nënkalimeve dhe zgjerimin me tej në lotin e parë dhe të dytë të unazës.
Top Channel