Tiranë – Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Dhurimit të Gjakut, dy spitaleve universitare, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Spitalin “Shefqet Ndroqi” ka nisur procedurën për terapinë e plazmës konvale për trajtimin e të prekurve nga COVID19 që janë në trajtim spitalor.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga banka e gjakut në QSUT ka deklaruar se janë marrë masat dhe janë finalizuar protokollet për terapinë e plazmës.
“I gjithë ekipi i qendrës së gjakut, QSUT, i drejtuar nga Ministria e Shëndetësisë kanë hartuar protokollet për terapinë me plazëm. Në bashkëpunim me Universitetin e Pavias e kemi nisur dhe po e finalizojmë këtë proces dhe jemi gati për të ndërtuar bankën e plazmës. Janë marrë të gjitha masat për të garantuar cilësi dhe siguri për aplikimin edhe të kësaj terapie për ata pacientë që kanë nevojë në dy spitalet COVID”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale tha se janë marrë masat për kryerjen e të gjithë procesit, që nga ekzaminimet e deri te procesi final i trajtimit. Manastirliu ka kërkuar nxitjen e zinxhirit të solidaritetit për dhurimin e plazmës nga personat që e kanë kaluar sëmundjen.
“Sot ne nisim fushatën ‘Bëhu hero për dikë që ka nevojë për ty’ dhe tashmë kemi dhuruesit e parë që e kanë kaluar sëmundjen por është e rëndësishme që të krijojmë zinxhirin e solidaritetit, për të ndërtuar bankën e plazmës për të ndihmuar ata qytetarë që kanë nevojë për këtë trajtim mjekësor në dy spitalet COVID”, tha Manastirliu.
Një paciente 30 vjeçare e cila e ka kaluar sëmundjen, ka qenë e para që ka dhuruar sot, në çeljen e fushatës ndërgjegjësuese për dhurimin e plazmës për trajtimin e pacientëve me COVID19.
Shefja e shërbimit Infektiv prof. Najada Çomo tha se prej kohësh po punohet me Ministrinë e Shëndetësisë për këtë terapi dhe i bëri apel personave që e kanë kaluar sëmundjen, të bëjnë këtë gjest human në ndihmë të atyre që kanë nevojë.
Çdo mashkull që është ndërmjet 18-65 vjeç dhe çdo grua e kësaj moshe që nuk ka kaluar shtatëzani, që e kanë kaluar COVID19, mund t’i bashkohen iniciativës së dhurimit vullnetar të gjakut/plasmëz për trajtimin e pacientëve që kanë nevojë për këtë terapi në spitale. Dhurimi mund të bëhet në çdo bankë gjaku në spitale dhe çdo person që dëshiron të dhurojë, mund të aplikojë online në faqen Ëeb të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Për më shumë informacion:
http://shendetesia.gov.al/dhuroni-gjak/
Top Channel