Gjykata e Durrësit ka vendosur “arrest në burg” pa afat për 3 të arrestuarit për trafikim lëndësh narkotike në bashkëpunim.
Katër ditë më parë policia kufitare zbuloi dhe sekuestroi, ne port, 26 kilogramë marijuanë në formë çokollate të fshehur në një autobus që kryente linjën Durrës-Itali. Sasia e drogës e ndarë në pako ishte fshehur në një kovë me bulmet, po gjatë kontrollit të saj u zbulua prania e lëndës së paligjshme, duke çuar në pranga dy shoferët e autobusit, përkatësisht 59 dhe 49 vjeç, si dhe menaxherin 31-vjeçar të kësaj linje transporti drejt Italisë.
Edhe në seancën gjyqësore për vleftësimin dhe caktimin e masës, të arrestuarit nuk e kanë pranuar akuzën, po gjyqtari ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorit të çështjes për arrest në burg për të tre shtetasit, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur këtë rast të trafikimit të narkotikëve të mbetur në tentativë.
Gjatë zbulimit të drogës, ra në sy imazhi i “Ndëshkuesit” (The Punisher) në mbështjellësen e çdo pakoje, gjë që është konsideruar një element i shtuar për hetimet që po kryhen mbi zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë trafikim mes dy brigjeve të Adriatikut.
Top Channel