Mbajtja e maskës është kthyer në normë dhe këshillohet në vende publike për të ulur mundësinë e transmetimit të virusit COVID-19. Një ndër pretendimet që dëgjon më shpesh nga njerëzit që mbajnë maskën me detyrim është se ajo u shkakton probleme jo vetëm me frymëmarrjen por edhe me lëkurën.

Disa prej këtyre problemeve kanë të bëjnëme rrjepjen e lëkurës në zonat e hundës, mjekrrës dhe poshtë veshit, por edhe skuqje, pucra e njolla nga më të ndryshmet. Për të përmirësuar shëndetin e lëkurës gjatë pandemisë dermatologët japin këshillat e mëposhtme.

Ndiqni Rutinën
Pastroni lëkurën dhe vendosni krem ushqyes para dhe pas përdorimit të maskës. Zgjidhni gjithmonë produkte që nuk bllokojnë poret dhe mos përdorni produkte që kanë si përbërës petrolatum, që mund të shkaktojë probleme me funksionet e maskës.

Përdorni Oksid Zinku
Për parandalimin apo qetësimin e lëkurës së irrituar nga maska, ekspertët këshillojnë përdorimin e pastës së oksidit të zinkut i cili rëndom përdoret edhe për bebet. Vendosni pak nga pasta anash hundës dhe mbrapa veshit.

Kremërat Antibiotikë
Për shpërthime pucrash apo kokrrash në fytyrë, përdorni pastë ose krem me përmbajtje antibiotiku. Nëse pucra është e madhe mund të përdorni një likoplast për të krijuar barrierë mes saj dhe maskës.

Kujdesuni Për Aknet
Nëse në lëkurën tuaj shfaqen akne, lajeni atë rregullisht dhe më pas përdorni një krem zbutës me përmbajtje të lartë uji. Zgjidhni produkte që përmbajnë terma të tillë: retinoidë, benzoyl peroxide dhe acid salicilik. Gjithashtu, ju duhet të shmangni shtrydhjen e pucrave që përkeqësojnë inflamacionin dhe infeksionin në këtë zonë.

Ekspertët ju këshillojnë që të mos hiqni dorë nga larja e duarve dhe mbajtja e maskës sepse këto janë dy masa të forta parandaluese ndaj COVID-19. Nëse vëreni që lëkura juaj ka pësuar një infeksion serioz si pasojë e maskës, këshillohuni me një dermatolog për një ndihmë më të specializuar./AgroWeb

Top Channel