E sigurt është që viti i ri shkollor do të nis në 14 shtator, ndërsa vendimi për mënyrën se si do të organizohet ky vit shkollor është në dorën e Task-Forcës së koronavirusit.
Ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar ka shpërndarë një sondazh drejtuar mësuesve, nxënësve dhe prindërve për mënyrën se si duan ata të vijojë ky vit shkollor.
Për shkak të pandemisë së Covid-19, veç vendimit të ekspertëve po mblidhen edhe të dhëna statistikore për këtë grup interesi, ku kanë mundësi zgjedhjeje një prej 4 alternativave që përbëjnë edhe skenarët e mësimdhënies të menduar nga Ministria e Arsimit. Nëpërmjet këtij sondazhi të zhvilluar online nxënësit, prindërit dhe mësuesit pyeten nëse duan që të fillojë mësimi normalisht me kapacitet të plotë por duke respektuar rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, apo procesi mësimor të nis me grupe të vogla, me turne dhe orë mësimore të reduktuara.
Një opsion tjetër është zhvillimi i mësimit në mënyrë të kombinuar online dhe në klasë dhe alternativa e fundit parashtron nisjen e mësimit online në distancë, ashtu sikurse u mbyll viti 2019-2020. Rezultatet e sondazhit po përpunohen, ndërsa vihet re se pjesa më e madhe prej tyre duan rikthimin në bankat e shkollës. Megjithatë vendimi për zgjedhjen e një prej skenarëve do të mbështetet në ecurinë e situatës së të prekurve me covid-19, si dhe respektimi i masave mbrojtëse nga familjet shqiptare.
Top Channel