Ekonomia Kosovë/ Kërkohet heqja e kufizimeve të Covid-19

18/08/2020 14:49

Parlamenti i Kosovës nuk arriti javën e kaluar të votonte një ligj të hartuar nga qeveria për mbështetje ekonomike të bizneseve që përballen me probleme për shkak të masave kundër pandemisë.

Ligji parashihte mes tjerash injektimin e një shume prej rreth 1 miliardë e 200 milionë eurosh në treg. Ndërkohë deputetët e parlamentit kanë nisur pushimet e verës, duke përmbyllur kështu sesionin pranveror të kuvendit, kujton DW. Para kësaj situate dhe problemeve me të cilat po përballen bizneset, Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë thirrje që të kapërcehen ngërçet politike të vendit me qëllimin të sigurohet miratimi i ligjit që duhet të sjellë rimëkëmbjen ekonomike.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukici, tha se ky ligj mundëson që shumë instrumente të paketës të vihen në funksion të bizneseve dhe ekonomisë së vendit.

“Është momenti që gjatë muajit shtator apo tetor, pjesa kryesore e kësaj pakete të hyjë në qarkullim, në mënyrë që kompanitë me pas të kenë mundësi të funksionojnë, të ruajnë punësimin, të ruajnë raportet me furnitorët, shitësit, blerësit e bankat”, shkroi ai në rrjetet sociale. Ai shtoi se bizneset kërkojnë të hiqen të gjitha kufizimet nga ekonomia me kushtin për respektimin e masave, pra të hiqen të gjitha kufizimet për të gjithë sektorët dhe po ashtu për lëvizjet e qytetarëve”.

Në shumë qytete të Kosovës, kufizimi i lëvizjes është ende në fuqi për shkak të numrit të madh të personave të infektuar me Covid-19.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA