Italia është një nga vendet më të prekura në botë nga koronavirusi.
Megjithëse gjendja duket më e qëndrueshme, krahasuar me kolapsin shëndetësor që përfshiu vendin gjatë fillimit të pandemisë, njerëzit kanë nisur të respektojnë në mënyrë strikte rregullat e vendosura, për të frenuar më tej përhapjen.
Në këto kushte, restorantet dhe baret përtej Adriatikut kanë filluar rihapjen e “dritareve të verës”, të cilat janë përdorur shumë shekuj më parë në kohën e murtajës. Sipas mediave italiane, rreth 300 dritare të vogla gjenden në rajonin e Toskanës, ndërsa 150 prej tyre janë gjendur brenda mureve të qytetit antik të Firences.
Tradicionalisht, “dritaret e verës”, të njohura ndryshe si “buchette del vino”, u përdorën në vitin 1630, gjatë kohës kur murtaja kishte “mbërthyer” vendin. Dritaret asokohe, i mundësonin tregtarëve të verës t’u shërbenin klientëve pa rënë në kontakt me ta.
Ndërkohë një skenë e ngjashme është dhe këtë kohë, kur disa biznese të vogla në Toskanë, e kanë “ringjallur” traditën e këtyre dritareve, për të shitur verë.
Top Channel