
Ajo e të dielës, ishte një nga protestat më të mëdha të organizuara nga opozita, që nga pavarësia e Bjellorusisë në vitin 1991.
Më shumë se 100.000 vetë u grumbulluan në kryeqytetin Minsk. Edhe në qytete të tjera njerëzit dolën në rrugë të protestonin. Ata duan që presidenti që qeveris prej 26 vitesh Bjellorusinë të largohet.
“Ne duam një vend pa Lukashenko” dëgjoheshin thirrjet e shumë demonstruesve. “Ik!”, “Vrasës!” dhe “Liri për të burgosurit politikë” ishin thirrjet e tjera. Në kolonën e demonstruesve marshonin disa grupe që mbanin flamujt e opozitës me shirita të bardhë e të kuq deri në 100 metra të gjatë.
Ky flamur i nxjerrë nga përdorimi nga Lukashenko konsiderohet si simbol i opozitës së vendit evropianolindor.Si shenjë e protestave paqësore shumë përkrahës të opozitës mbanin veshje të bardha, lule dhe tullumbace. Protestuesit iu përgjigjën thirrjes së kandidates opozitare të arratisur në Lituani, Svetlana Tichanovskaja, për protesta në fundjavë në të gjithë vendin. Ajo bëri të ditur themelimin e një komiteti që do të përgatisë ndryshimin e qeverisë në Bjellorusi. Në një mesazh video nga Lituania, Tichanovskaja ka bërë të ditur, se është gati të drejtojë vendin dhe se do të krijojë kuadrin ligjor për zgjedhje të lira e të ndershme.
Pas zgjedhjeve, Tichanovskaja u largua nga vendi, sipas të dhënave të ekipit të saj pas kërcënimeve. Bashkëshorti i saj opozitar ndodhet në Bjellorusi në burgim. Pas protestës së të dielës, tani në vend priten greva. Pavarësisht zemërimit masiv në vend, presidenti Lukashenko lufton të qëndrojë në post. Ai u përpoq në një kundërdemonstratë të mobilizojë përkrahësit e tij. Punonjësit e administratës shtetërore u sollën me autobusë nga i gjithë vendi në kryeqytetin Minsk. Me rreth 10.000 vetë, Lukashenko grumbulloi shumë më pak njerëz në rrugë. “Më shumë se 80% e votave nuk mund të gënjejnë”, tha Lukashenko para demonstruesve duke iu referuar zgjedhjeve të së dielës javën e kaluar. Ai theksoi, se nuk do t’ia “dorëzojë” vendin opozitës.
Top Channel