Shkencëtarët amerikanë thanë se kanë diktuar grimca infektuese të koronavirusit deri në një distancë prej 4.8 metrash larg pacientëve të shtruar në spital.

Shkencëtarët thanë se distanca prej 2 metrash e pranuar gjerësisht si normë për distancimin fizik jep një “ndjesi të rreme të sigurisë” dhe mund të bëjë që grupe të mëdha njerëzish të ekspozohen ndaj sëmundjes. Studimi, i kryer në Universitetin e Floridës, nuk i është nënshtruar oponencës nga shkencëtarë të tjerë. Ndërkohë, një test pështyme për të zbuluar COVID-19 i krijuar nga Universiteti Yale dhe i financuar nga Shoqata Kombëtare e Basketbollit (NBA) mori të shtunën miratimin e Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave për përdorim emergjence.

SalivaDirect është testi i pestë i pështymës i miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për sëmundjen. Ai analizon pështymën e njerëzve që mendojnë se kanë koronavirus. Testi shihet si më i shpejtë, sepse marrja e rezultatit kërkon më pak se 24 orë.

Ai është relativisht i lirë, rreth 10 dollarë, dhe më i thjeshtë, sepse përdor pështymën, pa nevojën e një mostre nga hundët. Miratimi i testit të ri vjen ndërkohë që numri ditor i testimeve të konfirmuara të koronavirusit të kryera në SHBA ka rënë për herë të parë, megjithë thirrjet e disa zyrtarëve të shëndetit publik dhe atyre federalë për të rritur ndjeshëm testimet.

Top Channel