Qytetet rimarrin emrat e vjetër/ Ura-Vajgurore u bë Dimal, në Sarandë kërkohet emri antik, Onhezim

14/08/2020 15:24

Javën e kaluar qyteza e Urës Vajgurore ndryshoi emër për t’u quajtur qyteza e Dimalit. Kjo ka marrë shkas edhe nga qyteti i lashtë ilir me të njëjtin emër në të cilën është gjendur një skulpturë, një kokë 8 cm prej qeramike e quajtur “Djaloshi i Dimalit”.

Nisur nga kjo, skulptori Artan Marku e ka trupëzuar për t’i dhënë kësaj qyteze edhe një vepër arti. Kjo edhe si shenjë që mbase do të shërbejë edhe për të ardhmen, që shumë qytete të kthehen tek rrënjët e tyre të vjetra historike, qoftë kjo edhe në emërtime.

“Është një rast unikal për vendin tonë që riemërtohet një qytezë dhe njëhsohet me historinë e saj të lashtë. Ne e ndiejmë veten pjesë të asaj qyteze dhe aq më tepër që ajo figurë, ai simbol përfaqëson diçka shumë rinore, shumë të bukur. Është një ringjallje, sepse ishte gjetur thjesht një kokë e dëmtuar dhe asaj ju shtua trupi”.

Prejardhja e fjalës Dimal vjen nga Dy Male. Është një qytet që mendohet që është krijuar në shekullin e III para Krishtit, por mbase dhe më herët. Gërmimet e zbulimit të tij kanë filluar në vitet ‘60.

Përveç Burhan Dautajt që e zbuloi, Dimali ka qenë në vëmendjen e shumë arkeologëve të huaj. Simbolika e kësaj është një djalosh fitimtar në lojërat e kohës.

“Momentin që unë kam dashur ta kap është momenti i fitimtarit. Ai kërcimi i fundit drejt diellit. Por njëkohësisht edhe ai kujdesi që shpesh dielli të errëson sytë dhe është momenti i rrezikshëm i lavdisë kur i afrohesh diellit”.

Përveç Dimalit shembuj të tjerë te ndryshimit të emrit janë;Kuçova që gjatë periudhës Komuniste u quajt Qyteti Stalin. Ndërsa së fundmi një grup intelektualësh nga Saranda kanë hedhur idenë e ndryshimit për t’i rikthyer qytetit emrin e lashtësisë, Onhezmi.

Ndërkohë që gjatë periudhës së pushtimit italian, Saranda është quajtur nga Benito Mussolini “Porti Eda”, njëjtë si vajza e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA