Ivanka Trump vazhdon fushatën për fuqizimin e grave në mes të pandemisë

14/08/2020 03:56

Këtë javë administrata Trump njoftoi 122 milionë dollarë fonde për programe dhe partneritete të reja të nismës për Zhvillimin dhe Prosperitetin Global të Grave (W-GDP) , dhe publikimin e plan-veprimeve të 10 agjencive qeveritare për një reformë ligjore që do të heqë barrierat ligjore dhe kulturore për pjesëmarrjen e grave në ekonomi në të gjithë botën.

Nisma W-GDP shihet si një “qasje gjithëpërfshirëse e qeverisë” që kërkon të sjellë ndryshime për afro 50 milionë gra në të gjithë botën në zhvillim deri në vitin 2025, dhe ka tre komponentë – sigurimin e formimit profesional për gratë; fuqizimin e grave për të patur sukses si sipërmarrëse; dhe eliminimin e barrierave ligjore dhe të politikave që parandalojnë pjesëmarrjen e grave në ekonomi. Këshilltarja e Presidentit Ivanka Trump, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien dhe Zëvendës Sekretari i Shtetit Stephen Biegun bënë njoftimin virtualisht me pjesëmarrjen nga partnerë të sektorit privat, përfshirë kompanitë Walmart, Mikrosoft dhe Masterkard.

“Ky është lloji i veprimit të guximshëm për të zgjeruar përpjekjet e qeverisë federale, sektorit privat dhe partnerëve të tjerë për të hequr pengesat që kufizojnë aftësinë e grave për të marrë pjesë në ekonomitë lokale që ka qenë modeli amerikan për sukses”, tha zonja Trump. Nisma vjen përballë sfidave të reja ndërsa COVID-19 po përkeqëson pabarazitë ekzistuese gjinore në të gjithë botën. Njoftimet nga vende të shumta kanë treguar se gratë po ndikohen në mënyrë disproporcionale dhe të veçantë nga koronavirusi në çdo sferë, që nga shëndetësia dhe ekonomia e deri te siguria dhe mbrojtja sociale.

Sipas të dhënave të OKB-së, 60 për qind e grave të punësuara janë në ekonominë informale me mbrojtje të kufizuar. Kjo do të thotë që gratë shpesh anashkalohen nga programet e shpëtimit që kërkojnë të rindërtojnë ekonominë, ndërsa janë veçanërisht të cënuara nga varfëria dhe pasiguria ushqimore, sipas Megan O’Donnell, ndihmës drejtore e programit gjinor në Qendrën për Zhvillim Global. “Ne kemi parë prova që bizneset e grave kanë më shumë gjasa të mbyllen në krahasim me ato të burrave.”

Dhe me fëmijët jashtë shkollave, gratë po marrin edhe më shumë përgjegjësi, duke detyruar shumë prej tyre të largohen nga vendi i punës duke përkeqësuar kështu pasojat ekonomike të kujdesit për punën e papaguar që gratë kryejnë në mënyrë disproporcionale. Për më tepër, gratë përballen me një rritje të dhunës në familje si rezultat i bllokimeve dhe gjejnë më pak qasje në shëndetin seksual dhe riprodhues për shkak të burimeve të kufizuara si pasojë e pandemisë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gratë gjithashtu përbëjnë 70 për qind të punonjësve të kujdesit shëndetësor në të gjithë botën duke rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët. “Mbështetja e pjesëmarrjes ekonomike të grave në mes të krizës së pandemisë do të kërkojë vëmendje për këto çështje – diçka që nisma W-GDP duhet ta marrë parasysh për të arritur premtimin e saj,” tha Jamille Bigio, bashkëpunëtore e lartë në programin e Grave dhe Politikës së Jashtme në Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.

Gratë, shtysa të ekonomisë
Nisma W-GDP beson se gratë nuk duhet të shihen si viktima që presin që dikush të vijë dhe t’i shpëtojë, por duhet të shihet si nxitëse të rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia, tha Kelley Currie, ambasadore e përgjithshme e SHBA për Çështjet Globale të Grave. “Ne jemi të përqendruar në heqjen e barrierave në mënyrë që gratë të jenë pjesëmarrëse të plota në ekonomi dhe për të gjetur mënyrat se si ato të nxisin prosperitetin dhe rritjen ekonomike,” tha zonja Currie.

Disa vëzhgues kanë vënë në pikëpyetje fushëveprimin e kufizuar të nismës dhe buxhetin relativisht të vogël prej 100 milionë dollarësh në fondin W-GDP për të përmbushur sfidën. Megjithëse nisma W-GDP është rritur në mënyrë të qëndrueshme që nga fondi fillestar prej 50 milionë dollarë, shifra aktuale është shumë larg nga afro dhjetëra miliarda dollarët e investuar në PEPFAR për shembull, tha zonja Megan O’Donnell, duke iu referuar nismës për të adresuar epideminë globale HIV / AIDS të nisur nga Presidenti George W Bush në vitin 2003.

Shëndeti riprodhues
W-GDP është lavdëruar se do të sigurojë që një numër agjencish qeveritare amerikane, përfshirë USAID-in, Korporatën Sfida së Mijëvjeçarit, Korporata e Financave të Zhvillimit, Korpusi i Paqes dhe të tjerët të hyjnë në strategjinë e saj me tre shtylla dhe të raportojnë përparimin e tyre në përputhje me një numër standardesh. Por kritika më e madhe mbetet ajo se nisma, në përputhje me politikat më të gjera të administratës Trump, injoron investimet që mbështesin shëndetin e grave, të drejtat seksuale dhe riprodhuese të tyre dhe zbutin dhunën me bazë gjinore.

Në javën e tij të parë në detyrë, Presidenti Donald Trump riktheu dhe zgjeroi rregullin e njohur si Global Gag, që ndalon organizatat globale të asistencës shëndetësore nga SHBA të japin informacion, burime ose shërbime për aborte të sigurta. Në vitin 2018, Departamenti i Shtetit hoqi shëndetin riprodhues nga raportet vjetore të vendit dhe në maj të vitit 2020, administratori i përkohshëm i USAID-it John Barsa i dërgoi një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së duke kërkuar që kujdesi shëndetësor seksual dhe riprodhues të hiqet nga plani i përgjigjes së OKB-së për COVID-19./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA