Autoritetet amerikane konfiskojnë llogaritë e donacioneve për 3 organizata terroriste

14/08/2020 04:40

Autoritetet amerikane kanë konfiskuar qindra miliona dollarë dhe monedha virtuale që përdoreshin për të financuar al-Qaidën, Shtetin Islamik dhe krahun ushtarak të Hamasit, njoftoi të enjten Departamenti i Drejtësisë.

Departamenti tha se konfiskimi i mbi 300 llogarive që operonin me monedha dixhitale, me lidhje me këto tre grupe, ishte më i madhi i këtij lloji dhe realizon një ndërprerje të metodave të financimit për këto rrjete. “Askush nuk duhet të çuditet që armiqtë tanë përdorin teknologjinë moderne, platformat e medias sociale dhe monedha kripto-dixhitale për tëmundësuar axhendat e tyre keqdashëse,” tha Prokurori i Përgjithshëm William Barr përmes një deklarate.

Shumat e konfiskuara u përkisnin tre grupeve, donatorëve të tyre të paidentifikuar dhe kanaleve “për transferimin e fondeve” në mbarë botën, sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë. Mbi 150 nga këto llogari përdoreshin për të grumbulluar fonde nga Brigadat al-Qassm, krahu ushtarak i Hamasit. Dy shtetas turq që kishin llogari për transferimin e parave, Mehmet Akti dhe Husamettin Karataş, u akuzuan për ndihmë ndaj Hamasit, duke mundësuar konvertimin e monedhave dixhitale të dhuruara përmes një biznesi pa liçencë për tranferim fondesh. I pandehuri Akti kishte qindra klientë, gjashtë prej të cilëve jetonin në SHBA ose përdornin llogari bankare amerikane, po sipas dokumenteve të gjykatës.

“Këta individë mendojnë se po operojnë në mënyrë anonime në hapësirën dixhitale, por ne kemi kapacitetet për të identifikuar dhe ndjekur penalisht këta aktorë me gjithë fuqinë e ligjit,” tha Prokurori amerikan për Uashingtonin, Michael R. Sherwin.Bitcoin është një monedhë virtuale/dixhitale. Megjithëse shkëmbimet me bitcoin regjitrohen në një regjistër publik të njohur si Blockchain, përdoruesit nuk identifikohen, duke e bërë këtë monedhë “pseudo-anonime”. Ekspertët dhe autoritetet kanë ngritur prej kohësh shqetësimin se grupet terroriste do të shfrytëzojnë anonimitetin e monedhave virtuale për financimin e aktivitetit të tyre.

Roli i Medias Sociale
Fushatat për grumbullim fondesh nga Brigadat al-Qassam filluan herët në 2019 me një postim në Twitter: “Dhuroni për Rezistencën Palestineze përmes Bitcoin,” sipas dokumenteve të gjykatës. Më pas kërkesa u postua edhe në faqen elektronike të grupit duke u thënë pasuesve se donacionet me bitcoin ishin “të painterceptueshme” dhe se “do të përdoren për akte të dhunshme”. Në faqen e tyre kishte instruksione me video për të bërë donacione anonime,” thotë deklarata e Departamentit të Drejtësisë. Zyrtarët federalë identifikuan dhe konfiskuan mbi 150 llogari që kishin dërguar para për Brigadat al-Qassam.

“Siç dëshmojnë operacionet e fundit, FBI-ja mbetet e përkushtuar për të ndërprerë linjat ushqyese të këtyre organizatave që përpiqen të lëndojnë amerikanët në vend dhe jashtë tij,” tha drejtori i FBI-së, Christopher Wray. Në rastin e Shtetit Islamik, Departamenti i Drejtësisë ka marrë nën kontroll një faqe elektronike që pretendonte se shiste maska si dhe kishte llogari në Facebook, të gjitha të krijuara nga Murat Cakar, një shtetas turk që kryente aktivitet si operator i ISIS-it dhe besohet se ka qenë i përfshirë në operacionet e hakerimit të këtij grupi./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA