Një 29-vjeçar nga Durrësi, i cili prej katër ditësh po trajtohej me koronavirus në Sanatoriumin e Tiranës, mëngjesin e së enjtes i dha fund jetë së tij në mënyrë tragjike.

Rreth orës 4: 30 minuta, ai u hodh nga kati i tretë i Sanatoriumit ku për pasojë gjeti vdekjen e menjëhershme.

Dyshimet e para të grupit hetimor, janë se 29-vjeçari ishte në gjendje të rënduar psikologjike, çka e shtyu atë të merrte vendimin tragjik për jetën e tij. Gjatë natës ai kishte kaluar kriza paniku.

Policia mori në pyetje mjekët dhe infermierët që po trajtonin të riun, ndërsa trupi i këtij të fundit u dërgua në morgun e Tiranës. Mjekët e sanatoriumit treguan se mjekimi i 29-vjeçarit po ecte mirë dhe ai kishte shumë përmirësim dhe burimet tregojnë se të riut do ti merrej edhe një tampon i dytë, për të parë nëse e kishte kaluar koronavirusin.

Lidhur me këtë ngjarje të  rëndë, reagoi edhe Sanatoriumi i Tiranës:

“Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 29-vjeçarit me inicialet Xh. K., i cili i dha fund jetës mëngjesin e sotëm, dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij. Stafi i spitalit siguron qytetarët se do të vazhdojë të ofrojë me përkushtim dhe profesionalizëm, shërbim shëndetësor për pacientët që trajtohen në spitalin tonë.”

Pandemia e koronavirusit përveç pasojave në shëndet nga infektimi ka shkaktuar te të gjithë një gjendje të rënduar psikologjike. Janë të shumtë ata që vuajnë stresin e përditshëm të jetesës me rrezikun e përditshëm. Vetëvrasja e 29-vjeçarit nga Durrësi është një sinjal alarmi për gjendjen në të cilën ndodhen me mijëra e mijëra persona të prekur ose jo nga Covid.

 

Top Channel