Të shtëna me armë pranë Shtëpisë së Bardhë, Trump nxirret papritur nga konferenca e shtypit

11/08/2020 04:32

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump u nxor në mënyrë të papritur nga salla e konferencës së shtypit në Shtëpinë e Bardhë. Trump u nxor jashtë sallës nga anëtarët e sigurimit në Shtëpinë e Bardhë për tu rikthyer pak minuta më vonë.

Ai tha se mesa kishte kuptuar, i dyshuari kishte qenë i armatosur. “Pati të shtëna jashtë Shtëpisë së Bardhë. Duket se (situata) është krejtësisht nën kontroll…Por pati një goditje me armë dhe dikush është dërguar në spital. Nuk e di se si është ai person”, tha ai.

“Ju u befasuat dhe unë gjithashtu u befasova”, u tha presidenti gazetarëve, kur u rikthye. Ai tha se ishte çuar në Zyrën Ovale, pasi u nxorr nga salla e shtypit. “Dua të falenderoj Shërbimin Sekret. Janë të mrekullueshëm”, tha zoti Trump në përgjigje të njoftimeve se i dyshuari mesa duket ishte i armatosur. “Ndoshta ‘të shtënat’ nuk kishin të bënin aspak me mua”, shtoi ai.

Shërbimi sekret konfirmoi se kishte pasur të shtëna me armë zjarri pranë Shtëpisë së Bardhë. Pak minuta pasi kishte filluar konferenca e shtypit, Presidenti Trump u nxorr nga salla, pa shpjegime për ndërprerjen. Edhe Sekretari i Thesarit, Steve Mnuchin dhe Drejtori i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Russ Vought u nxorrën nga salla dhe dyert u kyçën.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel