Bota ka arritur rekordin e zymtë të 20 milionë rasteve të konfirmuara të koronavirusit dhe po i afrohet 750 mijë viktimave në shkallë globale sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins.
Numri i rasteve është rritur shpejt që kur infektimet e para u raportuan në kinë në dhjetor. Bota regjistroi 10 milionë raste në më pak se tre muaj pas kësaj date ndërsa u deshën vetëm gjashtë javë që kjo shifër të dyfishohej. Mesatarja shtatë ditore e rasteve të reja të përditshme ka shkuar në mbi një çerek milioni për dy javë.
Rritja e rasteve shkaktohet kryesisht nga shifrat që raportohen në Amerikën Latine dhe Karaibe, por edhe në Azi, ku rastet po rriten sërish. Numri i viktimave ndërkohë mbetet më i lartë në Amerikën Latine. Brazili ka regjistruar më shumë se 3 milionë raste dhe 100 mijë viktima, duke u renditur vetëm pas Shteteve të Bashkuara që është vendi më i prekur në botë me më shumë se pesë milionë raste dhe 160 mijë viktima. India, ka numrin e tretë në botë më të lartë të rasteve, në më shumë se 2 milionë, duke e arritur këtë shifër vetëm tre javë pasi regjistroi 1 milion të infektuarit.
Vendi po përpiqet të ndalë shpërthimin që po rritet shpejt me pacientët e sëmurë në gjendje kritike që refuzohen nga spitalet për shkak të mungesës së shtretërve, stafit dhe pajisjeve. Sidoqoftë, shkalla e vdekshmërisë atje mbetet relativisht e ulët. India ka rreth tre viktima për 100 mijë banorë ose pak mbi 44 mijë në total, krahasuar me thuajse 67 viktimat për 100 mijë banorë ose më shumë se 46 mijë në total në Britaninë e Madhe që ka edhe shkallën më të lartë të vdekshmërisë mes 20 vendeve më të prekura.
Britania e Madhe është mes vendeve evropiane që po sheh vatra të reja infektimi dhe është mbërthyer nga frika e një vale të dytë. Spanja ka parë po ashtu rritje të rasteve ndërsa në Francë, shkencëtarët paralajmërojnë se situata është e brishtë dhe mund të ndryshojë kurs në çdo moment. Belgjika ka njohur po ashtu një rritje të shpejtë rastesh. Ndërkohë Afrika ka konfirmuar më shumë se një milionë raste të Covid-19 të premten me Afrikën e Jugut që zë më shumë se gjysmën e infektimeve të raportuara.
Top Channel