Ata nuk janë doktorë por dentistë, të cilët kanë vendosur që të mos qëndrojnë duarlidhur, pa bërë asgjë, në një kohë kur pandemia vazhdon të përhapet në kryeqytetin argjentinas, por të dalin nëpër rrugë dhe të zbulojnë rastet pozitive të Covid-19, në një përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit në Buenos Aires.
“Ne i përkasim sistemit shëndetësor. Nuk jemi doktorë, jemi dentistë, por jemi pjesë e këtij sistemi ndaj unë nuk do të qëndroj në shtëpi pa bërë asgjë. Duhet të dal jashtë dhe të ndihmoj, të bëj diçka”, shprehet një dentiste.
Autoritetet e qytetit kanë filluar një program të gjatë për gjurmimin e rasteve dhe kontakteve, dhe në kuadër të tij, dentistët vullnetarë, shkojnë shtëpi më shtëpi për të kërkuar të infektuar të mundshëm. Ata thonë se kjo është stresuese, pasi nuk është një punë e lehtë. Duhet shumë kujdes për të qëndruar i shëndetshëm dhe për të mos u infektuar. Por kjo nuk i ndalon ata.
“Ne jemi këtu që ta ndalojmë këtë virus që vazhdon të përhapet dhe të prekë gjithnjë e më shumë njerëz. Ideja është që me pjesëmarrjen tonë dhe të ekipeve të tjera, shkalla e infektimit mund të reduktohet.”
Në Argjentinë, sipas shifrave zyrtare, numërohen deri më tani 253868 raste të koronavirusit, ndërsa viktimat janë mbi 4700. Qeveria nuk e përjashton mundësinë e kthimit të kufizimeve përballë rritjes së infektimeve që po kërcënon tani të vendosë nën presion spitalet e vendit. Masat e marra pritet të skadojnë më 16 gusht por sipas zyrtarëve, nëse infektimet do të vijojnë me këto ritme, mund të shtyhen akoma më shumë.
Top Channel