Një numër rekord njerëzish po heqin dorë nga shtetësia e tyre amerikane, tregon një kërkim i fundit.
Më shumë se 5800 amerikanë kanë hequr dorë nga shtetësia në gjashtë muajt e parë të 2020 krahasuar me 2072 amerikanë që e bënë këtë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ekspertët shqyrtuan të dhëna publike, të botuara nga qeveria amerikane në çdo tre muaj.
Ata që kanë hequr dorë nga shtetësia amerikane, janë kryesisht njerëz që janë larguar tashmë nga vendi dhe kanë vendosur se janë të ngopur me gjithçka atje – thonë ekspertët duke shtuar se kanë parë që njerëzit janë lodhur me politikat e presidentit Donald Trump, me mënyrën se si pandemia e koronavirusit është menaxhuar.
Ndërsa shumë njerëz që kanë hequr dorë nga shtetësia ankohen se janë të pakënaqur me klimën aktuale politike në SHBA, një tjetër arsye për vendimin e tyre është edhe ajo e taksave. Shtetasve amerikanë që jetojnë jashtë u kërkohet që të paguajnë taksa çdo vit, të raportojnë për llogaritë e tyre bankare në vende të tjera, investimet dhe pensionet.
Edhe pse këta qytetarë kanë mundur të përfitojnë çeqet stimuluese prej 1200 dollarësh dhe 500 dollarë për çdo fëmijë, për shumëkënd, raportimi vjetor i taksave në SHBA është i tepruar.
Amerikanët që heqin dorë nga shtetësia duhet të paguajnë 2350 dollarë dhe të paraqiten personalisht në ambasadën amerikane në vendin e tyre nëse nuk janë në Amerikë. Pavarësisht rreziqeve që vijnë nga heqja dorë nga shtetësia amerikane, ekspertët parashikojnë se tendenca do të vazhdojë të rritet.
Shumë njerëz – thonë ata – presin zgjedhjet e nëntorit që të shohin se çfarë do të ndodhë. Nëse Trump rizgjidhet, shtojnë ata për CNN, ne besojmë se do të ketë një tjetër balë njerëzish që vendosin të heqin dorë nga shtetësia.
Top Channel