Një shpërthim i fuqishëm e ka goditur kryeqytetin e Libanit, Bejrut.

Ministria e Shëndetësisë në Liban ka njoftuar se nga shpërthimi janë vrarë të paktën 50 njerëz, dhe kanë mbetur të plagosur më shumë se 2.700 të tjerë.
Shkaku i shpërthimit nuk është ende i qartë.

Reagime të shumta kanë ardhur pas kësaj tragjedie.

Kryeministri i Libanit, Hassan Diab, tha se ata që janë përgjegjës për shpërthimin në një depo “të rrezikshme” në zonën e portit të Bejrutit do të “paguajnë çmimin”.

“Unë ju premtoj se kjo katastrofë nuk do të kalojë pa u gjetur përgjegjësit. Ata do të paguajnë çmimin”, tha ai në një fjalim televiziv.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara, Farhan Haq u tha gazetarëve se nuk ishte menjëherë e qartë se cili ishte shkaku dhe se nuk kishte asnjë indikacion për ndonjë dëmtim të ndonjë personelit të OKB-së.

Departamenti i Mbrojtjes në SHBA tha se “jemi të vetëdijshëm për shpërthimin dhe jemi të shqetësuar për viktimat e mundshme për shkak të një shpërthimi kaq masiv”.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, shprehu ngushëllime për viktimat. Përmes një postimi në rrjetin social Twitter ajo tha se “mendimet dhe lutjet tona janë me njerëzit e Libanit”.

Edhe Bashkimi Evropian reagoi pas incidentit. Komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha se BE-ja u ofron mbështetje popullit dhe autoriteteve të Libanit.

Top Channel