Franca, Italia dhe Spanja kanë rënë në recesion pasi koronavirusi gjunjëzoi ekonomitë e tyre dhe pati kontraktime të mëdha në produktin e brendshëm bruto.

Shifrat tregojnë se ekonomitë e të tre këtyre vendeve u tkurrën në tre mujorin e dytë të vitit financiar mes prillit dhe qershorit ndërsa masat e izolimit dhanë frytet e tyre. Një recesion zakonisht përcaktohet si kontraktim i GDP për dy tre mujorë radhazi. Kështu, në tremujorin e dytë, GDP e Spanjës ra me 18.5 për qind, ajo e Italisë me 12.4 përqind dhe e Francës me 13.8 përqind.

Ekonomia gjermane po ashtu po përjeton një rënie dramatike për shkak të pandemisë së koronavirusit. GDP atje ra me 10.1 për qind nga prilli në qershor ç cka ka bërë që rënia e prodhimit ekonomik të jetë akoma më e theksuar se ajo në krizën financiare të 2008-2009-ës. Kjo, sipas të dhënave, ishte rënia më e fortë që prej nisjes së përllogaritjeve tremujore të Produktit Kombëtar Bruto, në vitin 1970. Për ekspertët, ky është recesioni i shekullit.

SHBA po ashtu ka postuar shifra të frikshme të enjten. Ato tregonin një tkurrje të ekonomisë amerikane prej 32.9 për qind nga prilli në qershor, rënia më e rëndë kjo që nga lufta e dytë botërore.

Top Channel