Spanja është zhytur në recesionin më të thellë në historinë e saj moderne, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Statistikat zyrtare bëjnë të ditur se ekonomia e saj është tkurrur për 18.5 për qind në periudhën prill-qershor.
Në tremujorin e parë të vitit, ajo po ashtu është tkurrur për 5.2 për qind.
Recesioni ndodh pas dy periudhave të njëpasnjëshme të rritjes negative.
Spanja ka qenë performuesja më e keqe në Eurozonë, e cila ka pësuar rënie të përgjithshme të bruto prodhimit të brendshëm (GDP) për 12.1 për qind – rënie kjo rekorde.
Ekonomia e Francës po ashtu është goditur rëndë. GDP-ja e saj ra për 13.8 për qind në tremujorin e dytë të vitit.
Agjencia e Statistikave e Francës tha se pika më e ulët ka qenë në prill, ndërsa rimëkëmbja graduale ka nisur në maj dhe qershor.
Italia, ndër vendet e para evropiane të goditura nga koronavirusi, raportoi rënie të ngjashme.
Ekonomia e saj u tkurr për 12.4 për qind, edhe pse rënia ka qenë më pak e pjerrët sesa pritej.
Dobësimi ekonomik ka ndodhur si pasojë e masave të izolimit që kanë ndërmarrë vendet evropiane, por edhe të tjerat, për frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Në të gjithë Bashkimin Evropian, tkurrja ekonomike është 11.9%.
Agjencia e Statistikave e BE-së, Eurostat, tha se rënia është më e madhja prejse ka filluar regjistrimi i shifrave në vitin 1995.
Top Channel