Protestuesit padi gjyqësore për agjentët federalë në Portland

29/07/2020 04:01

PORTLAND, OREGON – Dy grupe protestuesish kundër dërgimit të agjentëve federalë nga Presidenti Donald Trump për të zmbrapsur demonstratat përpara godinës së gjykatës federale, kanë paditur Departamentin e Sigurisë Kombëtare, duke e akuzuar se ka shkelur Kushtetutën me dërgimin e forcave federale të zbatimit të ligjit për të shpërndarë turmat me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

“Muri i Nënave” (“The Wall of Moms”), një grup nënash protestuese, si dhe grupi “Mos qëlloni Portlandin” (“Don’t Shoot Portland”) paditën të hënën Sekretarin në detyrë të Sigurisë Kombëtare, Chad Wolf, si dhe zyrtarë të tjerë federalë. Agjensia nuk iu përgjigj menjëherë të martën kërkesës për të komentuar rreth kësaj padie.

Anëtareve të grupit të nënave “u është hedhur gaz lotsjellës natë pas nate, janë lënë me të vjella dhe me pamundësinë për të ngrënë apo për të fjetur, për shkak të gazit toksik që është hedhur ndaj tyre”, thuhet në padi. Padia pretendon se taktikat ishin të paligjshme dhe se prezenca e agjentëve në Portland shkel “një parim themeltar të demokracisë amerikane”, sepse agjentët po kryejnë realisht funksione të policisë lokale që rezervohen për autoritetet e shteteve amerikane dhe ato vendore.

Padia gjyqësore u ngrit në Gjykatën e Qarkut Uashington, D.C., pasi kryetari i bashkisë së Portlandit dhe drejtuesit e pesë qyteteve të tjera kryesore i bënë thirrje Kongresit për ta bërë të paligjshme për qeverinë e Shteteve të Bashkuara të dislokojë agjentë në qytetet që nuk i duan.
“Ushtrimi tronditës nga kjo administratë i forcës federale në qytete, megjithë kundërshtimet e autoriteteve lokale, nuk duhet të ndodhë kurrë”, thuhet në letrën dërguar drejtuesve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit nga kryetarët e bashkive Portland, Seattle, Çicago, Kansas City, Albuquerque, New Mexico dhe Uashington.

Kryetari i Bashkisë së Portlandit, Ted Wheeler, dhe Komisionerja e qytetit, Jo Ann Hardesty, i kërkuan zotit Wolf të hënën vonë një takim për të diskutuar mbi armëpushimin dhe dëshirën e tyre për largimin e agjentëve shtesë federalë të vendosur në Portland. Por prokurori federal për shtetin Oregon, Billy J. Williams, insistoi të hënën se agjentët nga Agjensia për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit, Shërbimi i Marshallëve dhe Shërbimi Mbrojtës Federal do të qëndrojnë në Portland për sa kohë që protestuesit vazhdojnë të sulmojnë godinën “Mark O. Hatfield” të Gjykatës Federale.

Protestat kanë trazuar qytetin Portland prej dy muajsh, që nga vdekja e George Floyd-it, afrikano-amerikanit që vdiq më 25 maj pasi u shtyp në qafë për gati tetë minuta nga një oficer i bardhë i policisë së Minneapolisit. Në Portland, demonstratat kanë vënë në objektiv gjithnjë e më shumë godinën e gjykatës federale, dhe protestuesit kanë provuar pothuajse çdo natë të rrëzojnë një gardh të ngritur për të mbrojtur ndërtesën, kanë vendosur zjarre në rrugë dhe kanë hedhur fishekzjarre, shishe molotov dhe tulla, gurë e shishe ndaj agjentëve brenda gardhit.

“Nuk është zgjidhje t’u thuhet oficerëve federalë të largohen kur vazhdojnë sulmet ndaj pronës federale dhe personelit”, tha prokurori Williams. “Nuk do ta lëmë ndërtesën të pambrojtur që të shkatërrohet nga njerëzit që synojnë ta bëjnë këtë gjë”. Protestuesit mbushën rrugët përsëri në orët e para të së martës, duke u mbledhur për natën e 60-të në bllokun e qytetit ku ndodhet godina e gjykatës. Ata u pritën me gaz lotsjellës, piper djegës dhe shashka të hedhura nga agjentët federalë që ruajnë ndërtesën.

Disa orë pasi tymi u pastrua në Portland, Prokurori i Përgjithshëm William Barr u shfaq të martën në Kongres dhe mbrojti përgjigjen agresive ndaj trazirave civile të organeve federale të zbatimit të ligjit, duke thënë se “rebelët e dhunshëm dhe anarkistët kanë marrë peng protestat e ligjshme” që u ndezën nga vdekja e George Floyd-it në duart e policisë së qytetit Minneapolis.

Zoti Barr u tha anëtarëve të Komisionit të Ligjeve të Dhomës së Përfaqësuesve në një seancë dëgjimore të shumëpritur në një vit zgjedhor, se dhuna në Portland dhe qytete të tjera është e shkëputur nga vrasja e Floyd-it, të cilën ai e quajti një ngjarje “të tmerrshme” që shkaktoi një reflektim të nevojshëm kombëtar rreth marrëdhënieve mes komunitetit afrikano-amerikan dhe forcave të zbatimit të ligjit. “Mungojnë përgjithësisht në këto skena shkatërrimi përpjekjet qoftë edhe sipërfaqësore të pjesëmarrësve në trazira për të lidhur veprimet e tyre me vdekjen e George Floyd-it, ose ndonjë thirrje e ligjshme për reforma”, tha zoti Barr për protestat e Portlandit.

Shërbimi i Marshallëve të Shteteve të Bashkuara ka përgatitur rreth 100 persona të cilët mund të dërgohen në vatrat e nxehta, si përforcime ose për të lehtësuar oficerët që kanë punuar prej disa javësh, tha zëdhënësi i agjencisë, Drew Wade. Kris Cline, zv / drejtori kryesor i Shërbimit Mbrojtës Federal, tha se një komandant për incidentet në Portland dhe ekipe nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Departamenti i Drejtësisë diskutojnë çdo natë se çfarë niveli force është i nevojshëm. Zoti Cline nuk pranoi flasë për numrin e oficerëve aktualisht të pranishëm, ose nëse do të mbërrinin të tjerë.

Zoti Cline tha se policia e Portlandit duhet të marrë përsipër nga oficerët federalë detyrën e shpërndarjes së protestuesve nga zona e gjykatës.
“Nëse Byroja e Policisë Portland do të ishte në gjendje të bënte atë që ata bëjnë zakonisht, ata do të ishin në gjendje ta pastronin këtë trazirë dhe ne do t’i linim oficerët tanë brenda ndërtesës dhe kështu nuk do të ishin të dukshëm”, tha zoti Cline.

Policia e Portlandit është kritikuar gjithashtu për përdorimin e gazit lotsjellës për të shpërndarë protestuesit para se agjentët federalë të fillonin të mbronin gjykatën. Një urdhër i gjykatës federale i kohëve të fundit e ka ndaluar përdorimin e gazit lotsjellës, përveç rasteve kur policia e shpall situatën “një trazirë” – gjë që ata e kanë bërë në disa raste. Kryebashkiaku Wheeler është thellësisht jopopullor mes disa banorëve të Portlandit, për atë që ata e shohin si dështimin e tij në kontrollin ndaj policisë lokale.

Këshilli i qytetit Portland pritet të votojë të mërkurën nëse do të organizojë një referendum për votuesit në nëntor që do të krijonte një bord inspektimi për Byronë e Policisë, e cila është e pavarur nga zyrtarët e zgjedhur dhe departamentet e bashkisë. Sindikata e policisë e kundërshton idenë dhe e ka quajtur veprimin të paligjshëm./VOA

FOTO GALERI
2/4

Top Channel