Përplasja spektakolare e trenit shkakton shembjen e urës në SHBA

29/07/2020 17:27

Pamje dramatike po vijnë nga qyteza e liqenit të Tempe në Arizona ku një aksident hekurudhor ka shkaktuar flakë gjigande dhe shembjen e pjesshme të urës ku trenat po udhëtonin.

Një video tregonte skena thuajse apokaliptike teksa qielli ishte bërë i zi nga tymi. Kalimtarët dhe forcat e rendit fillimisht mbetën të shtangur nga skenat e aksidentit ndërsa zjarrfikësit nisën ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit gjigand.

Një nga dëshmitarët okularë tha: “Vajza ime dëgjoi zhurmën dhe më pas shikuam një pjesë të trenit që ra në liqen”.

Ndërsa një grua që jeton aty pranë komentonte: “Jam e lumtur që fjeta pak më shumë sepse do të shkoja për një xhiro nga liqeni sot në mëngjes”.

Incidenti ndodhi në pjesën perëndimore të liqenit.

Policia në Tempe komentonte: “Policia dhe zjarrfikësit e Tempe Fire janë në vendngjarjen e një aksidenti hekurudhor mbi liqen. Rrugët janë të bllokuara dhe kalimtarët rekomandohet të evitojnë zonën”.
Puna për shuarjen e flakëve vazhdon.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel