Gjashtë shtete amerikane kanë raportuar rekord ditor të numrit të vdekjeve si pasojë e koronavirusit, teksa Shtetet e Bashkuara i afrohen regjistrimit të 150,000 jetëve të humbura nga pandemia.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, vetëm në ditën e martë në SHBA janë regjistruar 1,300 viktima, njëherësh shifra më e lartë e vdekjeve prej muajit maj.

Meksika dhe Brazili po ashtu kanë raportuar numër në rritje të të vdekurve në baza ditore, ndërkohë që numri i viktimave me koronavirus në gjithë botën është afër, 660,000 sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Të dhënat tregojnë se përhapja e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi është duke vazhduar në disa shtete amerikane, sidomos në jug dhe perëndim, si dhe në disa pjesë të Amerikës Jugore.

Numri në rritje i rasteve kërcënon përpjekjet për ta vënë nën kontroll pandeminë dhe për rifillim të aktivitetit ekonomik.

Gjashtë shtetet që kanë regjistruar numër rekord të vdekjeve brenda një dite janë: Arkansas, Kalifornia, Florida, Montana, Oregon dhe Teksas.

Numri i personave të prekur me këtë virus vetëm në Teksas, ka kaluar shifrën 400,000.

Në Kaliforni, zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se latinët përbëjnë më shumë se gjysmën e rasteve të infektuara dhe gati gjysmën e të vdekurve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA