Babai: Video mizore e vrasjes së vajzës time ende postohet në Facebook e YouTube

29/07/2020 20:42

Babai Andy Parker bën thirrje për ligje të reja që të ndalojnë pamje të sëmura të vrasjeve, si ato të vajzës së tij Alison Parker gazetare televizive që u vra gjatë një transmetimi televiziv në 2015.

Babai i dhembshur ka shprehur zhgënjimin me rrjete si Facebook e YouTube pasi pamjet e vdekjes vazhdojnë të postohen në to, edhe pesë vjet pas ngjarjes.

Pas ankesave rrjeti Google i tha Parker se duhet të verifikonte çdo kopje të videos në fjalë dhe të raportonte te ata për ta hequr nga rrjeti.

Vajza e tij gazetare Alison Parker u qëllua për vdekje teksa kryente një transmetim direkt në gusht 2015 në Virginia, SHBA.

Në tragjedi humbi jetën edhe foto-gazetari Adam Ward, ndërsa babai i saj thotë se “teoristë konspiracioni dhe aktorë të tjerë negativë” vazhdojnë të postojnë pamjet shqetësuese.

Ai akuzon rrjetin YouTube se po përfiton prej vrasjeve prej “vlerës së tyre shokuese, thjesht për zbavitje”.

Rrjetet YouTube e Facebook, thanë fillimisht se i kishin hequr pamjet por pesë vjet më vonë pamjet e masakrës së kryer nga gazetari i shkarkuar nga puna Vester Lee Flanagan, vazhdonin të postoheshin.

Sulmuesi vrau veten më vonë, pas disa ditë ndjekjeje nga policia.

Parker ka bërë një ankesë tashmë në Kongresin amerikan për ndalimin e videove të krimeve të dhunshme: “Unë dua ta bëj këtë për Alison. Ndoshta kështu ajo do të ishte krenare për të atin”.

Ai shton se ka dhe njerëz të tjerë, siç janë të afërmit e masakrës së shkollës Sandy Hook, që duhet të kërkojnë nëpër mediat sociale për të raportuar pamje të rënda të masakrës. Parker shton se megjithse ka pasur përpjekje nga Google ato nuk mjaftojnë.

FOTO GALERI
1/4
Gazetarja Alison Parker, ne pamje me babane Andy, u vra ne 2015

Top Channel