Vrasja e bujshme në Lushnje/ Policia zbardh ngjarjen e 2017, burg për Orgest Bilbilin. Dy të tjerë në kërkim (Detajet)

28/07/2020 15:09

Policia zbardh dhe dokumenton vrasjen e bujshme të ndodhur në vitin 2017, në Lushnjë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha.

Këtë të martë, u organizua operacioni policor i koduar “Sarava”, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, e cila, bazuar në provat e siguruara nga hetimi i Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

Laert Haxhiu, 28 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, i dënuar më parë me 18 vite burgim, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, si edhe me 3 muaj burg, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”;

Orgest Bilbili, 30 vjeç, banues në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, i dënuar më parë me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale ”Trafik narkotikësh”;

Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar më parë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim.

Për shtetasin Orgest Bilibili u bë ekzekutimi i vendimit të datës 25.07.2020 në IEVP Tiranë, ndërsa për shtetasit Laert Haxhiu dhe Anterio Kaloshi janë ushtruar disa kontrolle ambientesh, por nuk është bërë e mundur gjetja dhe kapja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim dhe vijon puna intensive për gjetjen dhe kapjen e tyre.

Gjithashtu, gjatë operacionit policor “Sarava”, nga ana e Policisë së Lushnjës, DVP Fier, FNSH Fier dhe forcat speciale RENEA janë ushtruar kontrolle në 13 banesa.

Nga kontrolli i këtyre banesave janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë gjahu teke, një sasi municioni luftarak, 30000 dollarë amerikan, disa doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, 4 automjete dhe 16 aparate celularë.

Në lidhje me sendet e paligjshme të gjetura dhe të sekuestruara gjatë kontrolleve u proceduan penalisht shtetasit L. Z., 36 vjeç, R. Z., 23 vjeç dhe H. T., 17 vjeç.

Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Vrasja e ndodhur në vitin 2017 në Lushnje:

Lushnja do të përjetonte edhe njëherë tmerrin e viteve 1997-1999. Në 12 Tetor të vitit 2017, Xhulio Shkurti ndodhej në një lokal së bashku me shokët Zamir Latifi, Jurgen Hoxha dhe Sajmo Xhelili, jo shumë larg vendit ku ishte plagosur një vit më parë.

Aty afrohen me makinë dy persona të cilët hapin zjarr në drejtim të tavolinës duke lënë të vdekur në vend Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën.

Sajmo Xhelili shpëtoi pa lëndime ndërkohë Xhulio Shkurtin e ndihmoi fati pasi ishte larguar pak minuta më parë. Hoxha, ishte nip i Afrim Hoxhës, një prej anëtarëve të bandës së Alfred Shkurtit. Për ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim Laert Haxhiun dhe Orgest Bilbilin, dy personat e akuzuar për vrasjen e Gerti Lalës.

Disa ditë pas asaj që njihet si masakra e Lushnjes, plagoset me plumb në këmbë Saimir Taullau, vëllai i biznesmenit të vrarë në vitin 2005 nga banda e Lushnjes.

Sipas informacioneve operative, Taullau është shoqëruar nga policia pas plagosjes së Xhulio Shkurtit dhe pas vrasjes së Zamir Latifit e Jurgen Hoxhës. Ai njihet si shok i ngushtë i njërit prej të dyshuarve, Laert Haxhiut. Madje, në vitin 2015 ata ishin kapur së bashku me 1.2 kilogramë heroinë.

Taullau u dënua me 3 vite e 8 muaj burg ndërsa Haxhiu u akuzua vetëm për akuzën e moskallëzimit të krimit duke u liruar shumë shpejt.

Në 24 Nëntor të vitit 2018 Saimir Taullau i shpëton një tjetër atentati. Ai ndodhej në lokalin e tij në rrethrrotullimin e Plugut teksa një person afrohet dhe qëllon me kallashnikov drejt tij. Ai shpëton me dëmtime të lehta.

Ndëkorhë në 6 Qershor të vitit 2019 organizohet një atentat ndaj vëllait tjetër Taullau, Albertit. Atij i vendosën një sasi tritoli në oborrin e pasëm të banesës në lagjen “Loni Dhamo”. Në momentin e shpërthimit fatmirësisht aty nuk ndodhej askush. Kundërpërgjigja nga krahu tjetër nuk vonon. Mëngjesin e 1 Tetorit ekzekutohet me breshëri kallashnikovi 35-vjeçari Besmir Hida. Ai ishte duke konsumuar kafe në katin e dytë të një lokali në lagjen “Skënder Libohova”, kur një person me maskë afrohet shumë pranë dhe e qëllon me breshër kallashnikovi. Një person i dytë e largon me makinë. Hida ishte daja i Zamir Latifit, i cili mbeti i vdekur në masakrën e Lushnjes.

Viktima, nuk është akuzuar ndonjëherë për krimet e bandës së Lushnjes. Ai tregtonte vetura të përdorura.

Atentatet që po ndodhnin në Lushnje njëri pas tjetrit me objektiv ish-anëtarë të bandës së Lushnjes apo të afërm të tyre ishin sinjal se askush nuk do falej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA