Ministrja e Brendshme italiane, Luciana Lamorgese tha se do të dërgohet ushtria në Sicili pasi rreth 100 emigrantë shkelën karantinën dhe u larguan nga një qendër pritjeje të hënën.
Lamorgese tha se pjesa më e madhe e tyre ishin gjurmuar dhe kishin rezultuar negativ për koronavirusin. Por, guvernatori i Sicilisë, Nello Musumeci, tha në Facebook se çështja e emigracionit po trajtohej jo me kujdesin e duhur duke shtuar se Sicilia nuk ishte një koloni. Emigrantët raportohet se u larguan nga një qendër e ruajtur nga njësitë të mbrojtjes civile në qytezën Porto Empedolce në Sicilinë perëndimore ku ata duhej të qëndronin në karantinë për 14 ditë.
Në qendër ndodheshin 500 emigrantë edhe pse ajo kishte kapacitet për vetëm 100. Incidenti vjen pasi 184 emigrantë, të gjithë negativë për Covid-19, u larguan nga një tjetër qendër në Caltanissetta të Sicilisë, të dielën. Ministri i Jashtëm, Luigi di Maio tha se 125 prej tyre ishin gjetur, por shprehu shqetësim se incidente të tilla mund të dëmtojnë përpjekjet e Italisë për të kontrolluar krizën e koronavirusit.
“Virusi nuk është larguar. Qytetarët italianë, ashtu si edhe unë, duhet të vazhdojmë ti bindemi rregullat që ne kemi vendosur dhe e njëjta gjë vlen edhe për turistët dhe për ata që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare”, tha ai.
Italia po njeh këto kohë një fluks në rritje emigrantësh nga Tunizia, që po vë në vështirësi sërish qendrat e emigrimit.
Top Channel