Turqia dhe Azerbajxhani do të kryejnë stërvitje të përbashkëta ushtarake

28/07/2020 20:02

Forcat e armatosura të Turqisë dhe Azerbajxhanit kanë njoftuar se do të kryejnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë në Azerbajxhan, në një kohë tensionesh të larta me fqinjin Armeni, për rajonin e kontestuar të Nagorni-Karabak.

Autoritetet thanë se forcat tokësore dhe ajrore të të dy vendeve do të bashkohen në stërvitjet ushtarake.

“Sipas planit, stërvitjet që përfshijnë forcat tokësore do të mbahen nga 1 deri më 5 gusht në Baku dhe Nakhchivan. Trajnimet me pjesëmarrjen e aviacionit ushtarak do të mbahen nga 29 korriku deri më 10 gusht, në Baku, Nakhchivan, Ganja, Kurdamir dhe Yevlakh”, thuhet në deklaratë.

Ushtrimet e përbashkëta do të përfshijnë ato me personelin ushtarak, automjetet e blinduara, montimet e artilerisë dhe mortajat, si dhe aviacionin ushtarak dhe pajisjet e mbrojtjes ajrore.

Njoftimi erdhi disa ditë pas një sulmi të forcave të armatosura armene mbi trupat azerbajxhanase në rajonin kufitar veriperëndimor Tovuz, ku u vranë të paktën 11 ushtarë azerbajxhanas, përfshirë një gjeneral major dhe kolonel.

Azerbajxhani fajësoi Armeninë për veprime “provokuese”, ndërsa Ankaraja doli në mbështetje të Bakut dhe paralajmëroi Yerevanin që nuk do të hezitonte të vepronte kundër çdo lloj sulmi ndaj fqinjit të saj lindor.

Azerbaixhani thotë se malësia e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit, është nën okupimin e paligjshëm armen që nga viti 1991.

FOTO GALERI
1/3
Turqia dhe Azerbajxhani do të kryejnë stërvitje të përbashkëta ushtarake në shkallë të gjerë në Azerbajxhan

Top Channel