Kompania ajrore “Emirates”: Pasagjerëve do t’u mbulohet trajtimi mjekësor, karantina e madje edhe funerali

28/07/2020 12:48

Emirates është bërë e para kompani ajrore që ofron sigurim shëndetësor falas nga Covid-19, ndërsa përpiqet t’i bëjë njerëzit të fluturojnë sërish. 

Pasagjerëve do t’u mbulohet trajtimi mjekësor, karantina në hotel e madje edhe funerali, nëse marrin koronavirusin ndërsa janë duke udhëtuar. Njoftimi vjen në një kohë kur kompanitë ajrore në të gjithë botën janë goditur rëndë nga masat për të luftuar pandeminë. Më herët këtë muaj, kompania më e madhe në botë e distancave të gjata, tha për BBC se do të reduktonte rreth 9 mijë vende pune.

“Ne e dimë se njerëzit do të donin të fluturonin ndërkohë që kufijtë e botës rihapen gradualisht, por ata kërkojnë fleksibilitet dhe garanci nëse ndodh diçka e paparashikuar gjatë udhëtimit të tyre”, tha presidenti i Emirates Group.

Kompania u shpreh se oferta, që është e vlefshme për 31 ditë nga fillimi i udhëtimit të një pasagjeri, do të jetë e disponueshme menjëherë dhe do të vazhdojë deri në fund të tetorit. Mbulimi është falas për të gjithë klientët pavarësisht klasit në të cilin udhëtojnë ose destinacionit ku do të shkojnë, dhe aplikohet automatikisht, pa nevojë për tu regjistruar. Kompania me qendër në Dubai tha se garancia do të mbulojë shpenzime mjekësore deri në 150 mijë euro. Ajo do të paguajë edhe koston e karantinës në një hotel, për deri në dy javë, në vlerën 100 euro në ditë.

Në rast të vdekjes së pasagjerit për shkak të Covid-19, sigurimi do të ofrojë 1500 euro për të mbuluar koston e funeralit. Udhëtimi nga ajri është goditur rëndë këtë vit ndërsa vendet kanë mbyllur kufijtë e tyre dhe njerëzit janë të shqetësuar se mos infektohen në fluturim ose ndërsa udhëtojnë.

Top Channel