Arkipelagu arktik Svalbard strehon rreth 3,000 banorë, disa qindra arinj polarë si dhe dy bunkerë për “ditën e katastrofës” që supozohet të ruajnë civilizimin tonë nga zhdukja e mundshme.
Në fundjavë zyrtarët atje thanë se regjistruan temperaturën më të lartë që prej nisjes së regjistrimeve 41 vjet më parë.
Qyteza e Longyearbyen arriti temperaturën 21.7°C duke thyer rekordin e mëparshëm me rreth gjysmë grade, të shënuar në 16 korrik 1979.
Arkipelagu Svalbard, është qendra më veriore e banuar nga njerëzit me rreth 1,000. Vendi në mesin e nëntorit zhytet në errësirë dhe nuk shikon dritë deri në fund të janarit.
Svalbard është me interes pasi aty janë vendosur dy bunkeret misterioze Global Seed Vault dhe Arctic World Archive, të njohura si “streha e ditës së apokalipsit”, ku ruhen gjurmët e rëndësishme të civilizimit njerëzor, që prej farave, te veprat e artit dhe gjurmë të tjera të rëndësishme për njerëzimin.
Strehimi “Doomsday Vault” gjendet mes Norvegjisë dhe Polit të Veriut. Nga jashtë mund të shihet vetëm hyrja e tij futuristike prej çeliku e ndriçuar me fibra optike.
Pjesa tjetër e ndërtesës futet brenda faqes malore dhe akullnajave për ta ruajtur temperaturat e ulëta.
Me rreth 1,700 depozita farërash, vendi është një librari diversiteti e historisë bujqësore botërore, që supozohet të ruajë kulturat më të rëndësishme nga katastrofat e nxitura nga njeriu.
“Është si të kesh një kompjuter dhe të ruash të gjitha të dhënat e tua në një tjetër disk”, thotë studiuesi norvegjez Hannes Dempewolf.
Depozita mban rreth 1 milionë fara nga më shumë se 5000 specie, që janë sjellë nga të gjitha vendet e botës.
Top Channel