Kuvendi njofton në një deklaratë për mediat se që në fillim të pandemisë së COVID-19, ka respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha masat mbrojtëse të urdhëruara nga Aktet Normative të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kjo deklaratë vjen pasi 3 deputetë rezultuan pozitiv me covid.
“Me vendim të Konferencës së Kryetarëve, është kufizuar kohëzgjatja e seancave plenare, si dhe koha e diskutimeve. Mbledhjet e komisionve parlamentare, Byrosë dhe Konferensës së Kryetarëve zhvillohen online”, thuhet në deklaratën e tyre.
Njoftimi
Deputetët në sallë mbajnë maska dhe ulen duke respektuar distancën fizike, duke shfrytëzuar për këtë qëllim edhe mjediset e tjera të sallës së seancave, galerinë dhe llozhat.
Këto masa nuk kanë ndikuar në produktivitetin dhe rezultatet e punës së Kuvendit, të seancave plenare dhe të komisioneve. Përkundrazi, në raportin “Dimensioni Human i OSBE dhe përgjigjet shtetërore ndaj pandemisë Covid-19”, publikuar para disa ditësh nga OSBE/ODIHR, Kuvendi i Shqipërisë ka marrë vlerësime shumë pozitive dhe është vlerësuar ndër parlamentet që u janë përgjigjur më mirë situatave të pandemisë. Sipas Raportit, “Parlamenti i Shqipërisë ishte ndër të parët që lejoi komisionet të punonin në distancë, përmes mjeteve të komunikimit elektronik. Në Shqipëri, vendimi për të lejuar zhvillimin në distancë të mbledhjeve të komisioneve, duke përdorur platforma videokonference, ka mundësuar që transmetimi live i këtyre mbledhjeve të jetë i arritshëm për publikun e gjerë.”
Në zbatim të nenit 7, pika 4 të ligjit nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, urdhërit nr. 156 datë 10.03.2020 të Ministrit të Shëndetësisë, Udhëzimit të Institutit të Shëndetit Publik, Urdhërit nr.89, datë 12.03.2020 të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit z. Genci Gjonçaj “Për masat e veçanta në parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID 19”, është bërë dezinfektimi i rregullt periodik i mjediseve të Kryesisë së Kuvendit dhe të sallës së seancave plenare, duke garantuar denzifektim të dedikuar para çdo seance.
Janë siguruar në mënyrë të vazhdueshme elementet e higjenës: sapun i duarve, dezinfektantët me bazë alkoli, letër pastrimi të duarve, pastrim i sipërfaqeve dhe sigurimi i koshave të mbyllur për eleminimin e mbetjeve.
Kryhet pastrimi para hapjes dhe mbylljes së procesit të punës i tavolinave, telefonave, koridoreve, tualeteve, janë zbatuar masat për dezinfektimin e duarve dhe matjen e temperaturës së deputetëve në hyrjen e sallës së seancave plenare dhe të punonjësve të shërbimeve të Kuvendit në mjediset e Kryesisë së Kuvendit.
Në këtë situatë është kufizuar prania e mediave në sallën e seancës plenare dhe, për të mos dëmtuar transparencën e veprimtarive parlamentare, ky shërbim u ofrohet të gjithë televizioneve nga Radio Televizioni Shqiptar.
Është reduktuar në maksimum prezenca e stafit në sallën e seancve plenare dhe e Gardës së Republikës.
Janë ndaluar veprimtaritë dhe takimet publike në Kuvend; është pezulluar shërbimi i dokumentacionit arkivor.
Janë ofruar masa lehtësuese për punonjësit prindër të fëmijëve të mitur ose me probleme shëndetësore: punë në distancë, orë fleksibël, mundësimi i rritjes së distancës fizike.
Bëhet njoftimi i shtrukturave të NJVKSH për rastet e dyshuara dhe njoftohet për çdo mbledhje Task Forca pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
Shërbimet e Kuvendit kanë dhënë shembullin qytetar për respektimin e masave mbrojtëse.
Më datën 27 korrik, nisur nga numri i lartë i të infektuarve gjatë ditëve të fundit, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi iu drejtua me një apel gjithë qytetarëve shqiptarë, për të rritur ndjeshmërinë e tyre ndaj respektimit të masave mbrojtëse të urdhëruara nga Aktet Normative dhe për t’i zbatuar këto masa në sjelljen individuale, familjare e shoqërore.
Top Channel