Studentët kinezë pre e pengmarrjeve të rreme në Australi, me qëllim zhvatjen e familjarëve

27/07/2020 19:55

Miliona dollarë janë zhvatur nga prindër të shtangur kinezë fëmijët studentë të të cilëve janë joshur në skema mashtrimi dhe pengmarrjesh të rreme në Australi, thanë së fundi autoritetet.

Skema e komplikuar përfshin manipulimin e viktimave për të organizuar “pengmarrjen e tyre” teksa mashtruesit u telefonojnë prindërve duke kerkuar shpërblesën në këmbim të “lirimit” të tyre.

Tetë incidente të tilla janë raportuar nga policia e një qyteti australian ku mashtruesit kishin arritur të arkëtonin rreth $3.2 milionë në shpërblesa.

Ata instruktonin viktimat të ndalonin kontraktet me familjen e miqtë, merrnin me qera një dhomë hoteli dhe bënin foto ose video të lidhur nga gjymtyrët e me sy të mbyllura.

Imazhet më pas i dërgoheshin të afërmve të viktimave, tha policia në Sydney.

Kur prindërit e viktimave nuk mund të vendosnin kontaktin me fëmijët e tyre në Australi, atëherë dërgonin shpërblesa të mëdha për “lirimin” e tyre.

Ndërkohë telefonuesi vazhdonte të bënte kërcënime derisa nuk arrinin të merrnin më pagesa të tjera, dhe kjo zakonisht detyronte prindërit të kontaktonin policinë.

Në një prej rasteve policisë iu tha se ishin paguar më shumë se $2 milionë nga një telefonues që pretendonte se ishte nga “policia kineze”.

Në një tjetër rast, prindërit e një studenteje 20-vjeçare kishin paguar $300,000 për “lirimin” e saj, edhe pse më vonë ajo u gjet në shtëpinë e saj në Sydney.

Video e një tjetër vajze 22 vjeçare, që e tregonte atë të lidhur e me sy të mbyllura, iu dërgua familjes së saj si kërcënim më 30 maj.

Policia në Sydney tha se familja e saj kishte paguar $20,000 pas kërkesave të mashtruesve, por pas kërkimeve vajza ishte gjetur shëndoshë e mirë në një kafe në veri të Sydney, një ditë më vonë.

Kreu i policisë Darren Bennett tha: “Pengmarrjet virtuale kërkojnë të përfitojnë nga besimi i njerëzve te autoritetet dhe janë zhvilluar dekadën e fundit nga organizata ndërkombëtare krimi.

“Këto telefonata shënjestrojnë anëtarë të dobët të komunitetit australiano-kinez. Policia australiane siguron konsullatën kineze Sydney se asnjë person që hiqet si autoritet nuk do të kontaktojë studentët kinezë në celularët e tyre për të kërkuar para”.

Bennett i referohej gjithashtu mashtrimeve të tjera ku telefonuesi pretendonte se ishte nga policia kineze dhe bënte të besonte njerëzit se ishin të përfshirë në një krim në Kinë.

Një tjetër mashtrim është bindja e viktimës se i është vjedhur identiteti dhe prandaj ata duhet të paguajnë për të evituar arrestimin apo deportimin nga Australia.

FOTO GALERI
5/5
Kur prindërit e viktimave nuk mund të vendosnin kontaktin me fëmijët e tyre në Australi, atëherë dërgonin shpërblesa

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA