Kthehet koronavirusi/ Vietnami, pas 100 ditësh “i lirë”

27/07/2020 12:33

Vietnami po evakuon 80 mijë vetë nga qyteti qendror Danang dhe po rikthen masat për parandalimin e koronavirusit pasi katër raste lokale të koronavirusit u konfirmuan, të parat që regjistrohen në vend në më shumë se tre muaj.

Jeta është rikthyer në normalitet për shumëkënd në vendin që është lëvduar gjerësisht se reagoi shpejt për vënien nën kontroll të Covid-19 dhe ishte shumë pranë arritjes së 100 ditëve pa asnjë infektim lokal. Të shtunën sidoqoftë, një 57-vjeçar u konfirmua pozitiv, në atë që përbën rastin e parë të infektimit që nga prilli. Masat e distancimit social janë rikthyer në Danang, një destinacion turistik, me të gjitha eventet fetare, sportive dhe kulturore që u pezulluan.

Mbajtja e maskave në vende publike në qytet është e detyrueshme dhe tubimet e më shumë se 30 vetëve në vende publike është ndaluar po ashtu.  Kufijtë e qytetit po ashtu u mbyllën të hënën për turistët e brendshëm, ndërsa autoritetet thanë se 80 mijë vetë, kryesisht turistë, do të evakuohen. Thuajse të gjithë udhëtarët e huaj nuk mund të vizitojnë Vietnamin dhe kushdo hyn në vend duhet të vendoset në karantinë në mbërritje. Burimi i rasteve të reja nuk është ende i qartë.

Mediat vietnameze raportojnë se 57-vjeçari nuk kishte dalë nga qyteti muajt e fundit por kishte vizituar disa qendra të kujdesit shëndetësor dhe kish’ marrë pjesë në një dasmë. Ai kishte shkuar në spital me kollë dhe temperaturë më 20 korrik dhe raportohet se është në gjendje kritike. Vietnami, një vend me 96 milionë banorë e që ndan një kufi të gjatë me Kinën, ka regjistruar deri më tani 420 raste të Covid-19 dhe asnjë viktimë.

Top Channel