Arabia Saudite, gati për pelegrinazhin e reduktuar

27/07/2020 16:32

Pelegrinazhi i përvitshëm i Haxhit në Arabinë Saudite, fillon të premten, pavarësisht se i reduktuar në mënyrë dramatike në përmasa për shkak të pandemisë së koronavirusit, që ka penguar miliona pelegrinë të huaj të udhëtojnë drejt Mekës për të parën herë në historinë moderne.

Rreth 10 mijë njerëz që banojnë në mbretëri do të marrin pjesë në ritualin mysliman, një fraksion i vogël i 2.5 milionëve që morën pjesë vitin e kaluar, pas asaj që shumëkush mund ta konsiderojë edhe një proces përzgjedhjeje të padrejtë që bëri që një mori kërkesash të refuzohen. Shtypi i huaj është i ndaluar në pelegrinazhin e këtij viti që zakonisht ndiqet nga media të shumta ndërkombëtare ndërsa qeveria ka vështirësuar aksesin në qytetin e shenjtë të mekës dhe ka marrë masa kufizuese strikte për të penguar një shpërthim të virusit gjatë pelegrinazhit pesë ditor, që është një nga shtyllat kyçe të islamit.

Në Arabinë Saudite janë regjistruar më shumë se 260 mijë raste të koronavirusit të ri. Para mbërritjes në mekë pelegrinëve u kërkohet testi i koronavirusit dhe gjatë pelegrinazhit duhet të ruajnë distancimin social. Autoritetet ndërkohë kanë rritur kapacitetet e ambjenteve të kontrollit shëndetësor, kanë ngritur klinika të lëvizshme dhe kanë shtuar edhe numrin e ambulancave. Qeveria saudite tha fillimisht se rreth 1 mijë pelegrinë me banim në mbretëri do të lejoheshin në Haxh, por mediat lokale raportojnë se rreth 10 mijë do të mund të marrin pjesë.

Top Channel