Kina forcon praninë policore jashtë konsullatës amerikane në Chengdu

26/07/2020 17:50

Të dielën jashtë konsullatës amerikane në qytetin Chengdu të Kinës, u vu re një prani e madhe e forcave të sigurisë ndërsa stafi amerikan përgatitej të largohej nga godina. Në ndërtesë u panë të hynin tre kamionë ndërsa policia qëndronte e rreshtuan të dy anët e rrugës ku ishin vendosur pengesa metalike.

Redaktori i tabloidit “China’s Global Times” shkruante në twitter se konsullatës amerikane në Chengdu i ishte dhënë një afat prej 72 orësh për t’u mbyllur, ose deri në orën 10 të mëngjesit të së hënës me orën lokale (27 korrik).

Kina akuzoi se disa punonjës të personelit të konsullatës amerikane në Chengdu kishin “kryer aktivitete jo në përputhje me identitetin e tyre”. Pa dhënë detaje zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze, Wang Wenbin tha se veprime të tilla ishin një ndërhyrje në punët e Kinës dhe se kishin dëmtuar interesat e saj të sigurisë.

Urdhri i Kinës për të mbyllur konsullatën amerikane në Chengdu u dha të hënën në shenjë hakmarrjeje ndaj një urdhri të SHBA-së për të mbyllur konsullatën kineze në Hjuston të Teksasit.

Uashingtoni urdhëroi mbylljen e ambasadës kineze në Hjuston “për të mbrojtur pronën intelektuale dhe informacionin privat të amerikanëve”.

Mbyllja e konsullatës kineze në Hjuston hyri në fuqi të premten. Po atë ditë një grup personash që duket se ishin zyrtarë amerikanë u panë duke u futur në objekt përmes një dere të pasme. Zoti Wang tha të shtunën se kjo përbënte një shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare e bilaterale dhe se Kina do të përgjigjej, pa dhënë detaje se si.

Veprimet hakmarrëse kanë rritur më tej tensionet mes dy vendeve duke nisur nga çështjet që lidhen me tregtinë dhe spiunazhin industrial, deri tek ato që lidhen me të drejtat e njeriut./VOA/

Top Channel