Ndërsa bizneset në qytetin e Nju Jorkut rihapen pas mbylljes nga COVID-19, pronarët duhet të balancojnë sigurinë e stafit dhe të klientëve me ndjenjat e tyre të gëzimit të fillimit të punës dhe ankthit për të ardhmen.
Lagja Jackson Heights në qytetin e Nju Jorkut është një komunitet aktiv dhe i larmishëm në bashkinë e Kuinsit, me një grup gjuhësh dhe kulturash.
Në rrugën 74-të shumë prej bizneseve u shërbejnë banorëve lokalë, emigrantë nga Azia e Jugut: India, Bangladeshi, Pakistani dhe Nepali.
“Ne po e hapim biznesin por nuk e dimë nëse njerëzit do të vijnë rregullisht, nëse do të bëjmë pak biznes këtë muaj apo në muajt e ardhshëm. Jemi të shqetësuar”, thotë Chander Shekhar, bashkëpronar i Shopno Fashion, një dyqan veshjesh në rrugën 74.
Dyqani u rihap më 22 qershor, ditën e parë të hapjes së “Fazës 2” të qytetit të Nju Jorkut.
Pas disa muajsh pasigurie në lidhje me pandeminë, pronarët e bizneseve hezitojnë të shprehin besim të plotë për të ardhmen.
“Tani duket normale, ne po dalim, por nuk jam i sigurt nëse klientët do të dalin sepse Jackson Heights është gjithandej në lajme. Ju duhet të keni dëgjuar se këtu është epiqendra e këtij COVID”, thotë Harshit Chugh, bashkëpronar i një butiku në rrugën 74.
Në ditën e parë të rihapjes, Shakhar thotë se pati katër klientë dhe 200 dollarë shitje. Atij i duhen 700 dollarë për të mbuluar kostot dhe për të realizuar një fitim të vogël. Qiraja për dyqan është 6,000 dollarë në muaj.
“Shpresoj se gjithçka do të jetë mirë në të ardhmen, do të marrë pak kohë, sikur edhe vaksina. Qeveria thotë se vaksina do të jetë gati vitin e ardhshëm. Pra, është e vështirë, por ne kemi për të mbijetuar”, tha ai./VOA/
Top Channel