Pompeo sulmon Kinën: Nuk tolerojmë tiraninë e Pekinit

25/07/2020 01:26

Kina ka urdhëruar mbylljen e konsullatës amerikane në qytetin jug-perëndimor të Chengdu. Kina tha se masa ishte një “përgjigje e nevojshme” për SHBA-në, e cila në fillim të kësaj jave, urdhëroi Kinën të mbyllte konsullatën e saj në Hjuston.

Mbyllja e konsullatës amerikane ishte një “përgjigje e ligjshme dhe e nevojshme ndaj veprimeve të paarsyeshme të bëra nga Shtetet e Bashkuara”, tha ministri i Jashtëm i Kinës në një deklaratë. “Situata aktuale midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është diçka që Kina nuk dëshiron ta shohë, dhe SHBA mbajnë të gjithë përgjegjësinë për këtë”, tha ai.

Konsullata amerikane në Chengdu, e cila është hapur në vitin 1985 dhe aktualisht ka më shumë se 200 anëtarë të stafit, ka një rëndësi strategjike për shkak të afërsisë së saj me Tibetin. Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, duke folur të enjten në Kaliforni, citoi ish-presidentin Richard Nixon që thoshte në 1967 se bota nuk mund të jetë e sigurt deri sa Kina të ndryshojë. Ai paralajmëroi ‘botën e lirë’ për një Kinë gjithnjë e më autoritare duke nënvizuar nevojën e triumfit mbi tiraninë e re të partisë komuniste kineze.

Shtetet e Bashkuara urdhëruan mbylljen e konsullatës së Kinës në Hjuston, duke thënë të mërkurën se masa ishte bërë për të “mbrojtur pronën intelektuale amerikane dhe informacionet private të amerikanëve”. Kina kritikoi veprimin e Shteteve të Bashkuara, duke e quajtur atë një “provokim politik” dhe tha se do të përgjigjet me “veprime të ligjshme dhe të nevojshme”.

Top Channel