E pranishme në Pogradec, ambasadorja franceze Christine Vasac u pyet në lidhje me diskutimet e PD-së dhe PS-së për listat e hapura dhe aleancat parazgjedhore.
Vasac tha se kjo është një pyetje tërësisht shqiptare.
“Ka një projekt të rieditimit të të gjithë kushtetutës shqiptare. Kryeministri është shprehur në mënyrë publike dhe në Parlament në lidhje me këtë. Ka edhe një qëndrim të presidentit të vendit, i cili na mblodhi ne të gjithë ambasadorëve të BE-së dhe të Mbretërisë së Bashkuar dje. Ju përket shqiptarëve dhe vetëm atyre që ta trajtojnë këtë çështje.
Ka një kalendar i cili është vendosur dhe në qoftë se do të respektohet ose jo kalendari këtë do ta tregojë koha. Por do të duhet një bashkëpunim i pozitës dhe opozitës në mënyrë që ne të marrim një rezultat.”
Pyetjes nëse listat e hapura dhe aleancat paszgjedhore janë ose jo modeli i duhur për Shqipërinë, ambasadorja u përgjigj:
“Mos prisni një përgjigje prej meje mbi themelin e organizimit, sepse kjo është një çështje shqiptare.”
E pyetur gjithashtu nëse pa një reformë të plotë në sistemin e drejtësisë dhe sistemin zgjedhor, cili do të jetë qëndrimi i BE-së për Shqipërinë, ambasadorja tha:
“Ashtu si ju e dini, në 25 mars janë hapur negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Duhet te fokusohemi te konkluzionet dhe kjo nuk është diçka e re.
Qëllimi kryesor është që të konkretizohet situata, në mënyrë që të kemi konferencën e parë ndërqeveritare.
Është gabim të themi pa pushim që po shtohen kushtet për Shqipërinë. Unë ju sugjeroj që të lexoni konkluzionet e 25 marsit dhe konkluzionet e mëparshme.
Interesi i Shqipërisë është që të mbahet sa më parë konferenca ndërqeveritare dhe për këtë është duke punuar ambasadori Zef Mazi i emëruar nga kryeministri.”
Top Channel