Britani e Madhe/ Boris Johnson kritikon aktivistët kundër vaksinave

25/07/2020 06:16

Gjatë vizitës në një qendër mjekësore në Londër për të promovuar një program të imunizimit për gripin të premten, Kryeministri britanik Boris Johnson i quajti kundërshtarët e vaksinimit “të krisur”.

Johnson i bëri këto komente ndërsa po bisedonte me infermierët për rëndësinë e një plani të gjërë të vaksinimit kundër gripit ndërsa afrohet dimri. Ai tha se nevoja për vaksinime të tilla është më e rëndësishme se kurrë për të shmangur mbingarkimin e sistemit të shëndetit publik me pacientë të gripit ndërsa vazhdon pandemia e Covid-19.

Ndërsa po diskutonte për programin e imunizimit kundër gripit, Johnson theksoi numrin e njerëzve që nuk vaksinojnë fëmijët e tyre kundër sëmundjeve të fëmijërisë. Ai tha: “tani kemi gjithë këta kundërshtarë të vaksinave, ata janë të krisur”.

Aktivistët kundër vaksinimit, një grup i zëshëm që kundërshton imunizimin përmes vaksinave, kanë organizuar protesta në vazhdën e krizës aktuale. Ata besojnë, në kundërshtim me provat shkencore, se përbërësit e vaksinave mund t’i shkaktojnë dëme trupit. Pandemia koronavirusit ka intensifikuar teoritë konspirative të pabazuara në lidhje me komplote të industrisë farmaceutike në lidhje me vaksinat.

Ekspertët shëndetësorë kanë thënë vazhdimisht se nuk ka prova që koronavirusi u krijua ose u përhap me qëllim. Ata gjithashtu insistojnë se vaksinat janë të sigurta dhe thelbësore për shëndetin global.

Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi javën e kaluar në lidhje me një rënie alarmante të vaksinimit të fëmijëve për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke thënë se gjasat që një fëmijë i lindur sot do të ketë marrë të gjitha vaksinat e rekomanduara deri në moshën pesë vjeçare janë më pak se 20 për qind.

Kryeministri Johnson po vizitonte qendrën mjekësore pasi rregullat e reja të Britanisë që e bëjnë të detyrueshëm veshjen e maskave gjatë vizitave të njerëzve në bizneset e shitjeve me pakicë hynë në fuqi. Që nga e premtja, policia mund të vendos gjoba prej 127 dollarë ndaj njerëzve të cilët nuk e respektojnë rregullin e ri për përdorimin e maskave./VOA

Top Channel