Në një bashkëbisedim pyetje-përgjigje me gazetarët, në konferencën e përbashkët me përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Politik (Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin), sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se rregullat s’mund të ndryshojnë 8 muaj para zgjedhjeve në mënyrë të njëanshme dhe se asgjë s’e ndal rotacionin.
Sipas tij, Edi Rama po sillet si humbës, pasi vetëm humbësi ndryshon rregullat e lojës.
“Po na thuhet që opozita të marrë pjesë në zgjedhje sipas rregullave që përcakton Edi Rama. Kjo është e papranueshme e kemi bërë të qartë vullnetin tonë. Duhet që pala tjetër të shprehë vullnetin e vet. Për listat 100% jemi plotësisht dakord, për çdo çështje tjetër nuk jemi të hapur sepse çështjet që shtron Rama prekin marrëveshjen e 5 qershorit, produkt 6 mujor pune i këshillit politik dhe s’mund t’i kthehemi më çështjeve që i konsiderojmë të mbyllura. Nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi. Kemi qenë të hapur për të diskutuar në proces transparent çdo çështje që ka lidhje me zgjedhjet. Ndryshimet kushtetuese do të duhet të kalojnë përmes referendumit, dhe ne i qëndrojmë apo jemi koherent në këtë qëndrim. Sa kohë është parashtruar një çështje po mbajmë një qëndrim të qartë. Po, jemi për hapjen 100 % të listave dhe këtë qëndrim e kemi ofruar si formulë kompromisi. Sa i përket fituesit e humbësit në zgjedhjet çdo shqiptar e ka evident para syve të vet. Doli hapur si njeri që po vidhte zgjedhjet në tavolinë dhe pasi dështoi me planin e parë ka nisur një plan të dytë. Ky është veprim prej humbësi të madh. Opozita do i fitojë thellë zgjedhjet e ardhshme. Çdo veprim që po bën Rama e tregon hapur se vijon të ketë mendjen në lojërat e vogla të pista politike, ne jemi për interesin e Shqipërisë e të shqiptarëve. Qytetarët e kanë marrë tashmë vendimin e tyre. Çdo lojë e pisët e Ramës nuk ka për ta ndaluar rotacionin e pashmangshëm që po vjen”, tha Bardhi.
Top Channel