Konsullata amerikane në Chengdu

Rriten sërish tensionet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kina hakmerret ndaj SHBA-së, duke urdhëruar mbylljen e konsullatës amerikane në qytetin Chengdu.

Kjo masë e vendosur nga Kina, vjen disa ditë pasi SHBA urdhëroi Kinën të mbyllte konsullatën e saj në Houston me arsyetimin se Kina po ‘vidhte’ pronën intelektuale. Masën e SHBA, Pekini zyrtar e quajti një ‘provokim politik’.

Masa është një “përgjigje e ligjshme dhe e nevojshme ndaj veprimeve të paarsyeshme të bëra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ministri i jashtëm i Kinës në një deklaratë për mediat. “Situata aktuale midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara është diçka që Kina nuk dëshiron ta shohë, dhe SHBA mbajnë të gjithë përgjegjësinë për këtë”- shtoi ministri i Jashtëm kinez.

Konsullata amerikane në Chengdu e cila aktualisht ka rreth 200 punonjës u themelua në vitin 1985. Sipas ekspertëve ajo ka rëndësi strategjike për shkak të afërsisë së saj me Tibetin, shkruan BBC.

Përplasjet mes SHBA-së dhe Kinës filluan për një sërë çështjesh duke nisur nga sanksionet ekonomike dhe që arriti kulmin me pandeminë e Covid-19. Donald Trump dhe administrata e tij kanë fajësuar direkt Kinën për pandeminë e Covid-19.

Top Channel