Aksidentoi për vdekje policin/ Tailanda anulon të gjitha akuzat ndaj trashëgimtarit të Red Bull

24/07/2020 19:28

Policia tailandeze tha sot se ka tërhequr të gjitha akuzat ndaj trashëgimtarit të biznesit të pijeve energjike Red Bull, i cili në 2012 kishte aksidentuar për vdekje një oficer policie në motoçikletë në Bangkok, dhe ishte larguar nga vendngjarja.

Koloneli Thanawuth Sanguansuk tha se prokurorët e çështjes kishin informuar policinë se vendosën të heqin dorë nga akuzat, megjithse i akuzuari ka qenë gjithë kohën në arrati.

“Ata na informuan se kanë vendosur të tërhiqen, duke cituar faktin se anëtarët e familjes janë kompensuar,” tha Thanawuth.

Vorayuth Yoovidhya, i njohur me pseudonimin “Boss”, kërkohej për aksidentin e shtatorit 2012 kur goditi për vdekje policin e patrullës me motoçikletë me Ferrarin e tij, dhe u largua nga vendngjarja.

Dështimi i policisë në kapjen e tij ka shtuar kritikat për korrupsion dhe për tolerancë të autoriteteve ndaj të dyshuarve të pasur.

Familja e Vorayuth zotëron gjysmën e perandorisë së Red Bull ku gjyshi i të dyshuarit ishte bashkëthemelues. Revista Forbes e ka listuar familjen e tij të dytën më të pasur në Tailandë me një pasuri prej rreth 20 miliardë dollarë.

Vëllai i policit të vdekur Pornanant Klunprasert, ka pranuar në një telefonatë me mediat se ka nënshkruar një kontratë me familjen Yoovidhya për të mos ngritur akuza në këmbim të shpërblimit prej 3 milionë baht tailandezë ($94,400).

Por ai tha se dënonte vendimin e policisë për të hequr dorë nga akuzat.

“Kjo më lëndon shumë. tregon se nuk ka drejtësi për të varfrit. Tailanda ka një diferencë të madhe mes të pasurve e të varfërve dhe ky rast është shembulli më i qartë”.

Vorayuth ishte larguar nga Tailanda në 2017, disa ditë para se autoritetet kishin vendosur të lëshonin mandatin e arrestit.

FOTO GALERI
4/4
Themeluesi i Red Bull

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA