Tutorja e Epstein/ Gjykatësi vendos hapjen e dosjes së jetës seksuale të Ghislaine Maxwell

23/07/2020 20:46

Një gjykatës federal ka vendosur sot hapjen e dokumenteve private të jetës seksuale të Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtores së trafikantit të minoreneve Jeffrey Epstein, ky i fundit i vdekur në burg pas arrestimit për krime seksuale ndaj të miturave.

Gjykatësja Loretta Preska dha vendimin në seancën me lidhje video, ndërsa i la një javë kohë avokates së Maxwell, Lauren Menninger për të apeluar vendimin.

“Gjykata beson se shqetësimet që mund të rezultojnë nga zbulimet për sjelljen e Maxwell janë shumë të vogla në krahasim me nevojën e aksesit publik”, tha Preska.

Dokumentet sekrete i referohen një dëshmie prej 418-faqesh që Maxwell ka dhënë si pjesë e padisë për shpifje, tashmë të mbyllur, kundër viktimës së trafikut Virginia Giuffre në vitin 2015, ku ka mjaft komunikime me email mes Maxwell dhe Epstein.

Giuffre paditi aristokraten britanike për shpifje pasi Maxwell tha publikisht se Giuffre i kishte sajuar akuzat seksuale kundër saj dhe Epstein.

Ish “skllavja e seksit” ka qenë nga akuzueset më të zëshme kundër Epstein dhe ka thënë se Maxwell e detyroi të bënte seks me princin britanik Andrew, që ishte ‘mik i ngushtë’ me Epstein.

Maxwell, ish e dashura e Epstein, është burgosur me akuza se ka furnizuar pedofilin amerikano-hebre me vajza minorene, mes tyre edhe Giuffre që asokohe ishte 16 vjeç.

Më 9 gusht 2019, gjykata e apelit urdhëroi hapjen e 2000 faqe dokumentesh mbi çështjen Guiffre-Maxwell, por një ditë më vonë Epstein kreu vetëvrasje në dukje në qelinë e tij.

Top Channel