“Shumë shpejt ezaurohen kapacitetet e spitaleve COVID”/ Manastirliu kritikon deputetët për maskat: S’jeni shembulli i duhur!

23/07/2020 13:02

Prej orës 10:00 po zhvillohet seanca e Kuvendit të Shqipërisë. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu teksa u ka kërkuar kolegëve në Kuvend të miratojnë aktin normativ për mbajtjen e detyrueshme të maskës dhe mbylljen e jetës së natës, ka dhënë alarmin për kapacitetet e spitaleve ku po kurohen të infektuarit me COVID.

Ministrja e Shëndetësisë ka kritikuar në Kuvend disa deputetë për mospërdorimin e maskës brenda seancës teksa në rend dite në seancë është pikërisht akti normative për mbajtjen me detyrim të maskës në ambiente të mbyllura ose kundrjet gjobë 20 mijë lekë.

“U bënë disa javë që në vend koronavirusi ka shtuar ngarkesën në sistemin shëndetësor për shkak të rritjes së të prekurve dhe atyre që kanë humbur jetën, jam këtu për t’ju kërkuar mbështetje për të miratuar aktin normativ, e teksa e prezantoj shoh që disa nga ju maskën nuk po e mbani, e nëse ju nuk e mbani barrierën që ju mbron ju dhe kolegët, sigurisht që nuk mund të jeni shembulli më i mirë për t’u marrë, për masat që duhet të zbatojmë”.

Ajo shtoj më tej në fjalën e saj se:

“Në të dy spitalet COVID, ne kemi mbi 120 të shtruar dhe me dhjetëra të tjerë të dyshuar dhe të shtruar në këto spitale. Shumë shpejt ne do ezaurojmë kapacitetet e dy spitaleve dhe më pas do shtrihemi në planin për të hapur spitalin e tretë e të katërt.

Por a është më e mira kjo? Të hapim spitale pa fund apo që secili të marrë përgjegjësi individuale të vendosë maskën e të ulë riskun për infeksione”, tha Manastirliu teksa pohoi se kjo situatë do vazhdojë kështu derisa të zbulohet vaksina anti COVID.

“Ulja e numrit të infeksioneve çon në më pak persona të shtruar në spital, më pak humbje jete.

Ne nuk duhet ta bëjmë vetëm për vete, duhet ta bëjmë edhe për të afërmit tanë, për mjekët që janë duke punuar për të shpëtuar jetë.

Ashtu sikurse vishemi në mëngjes, duhet të vendosim maskën. Siç ishim nuk do jemi derisa vaksina të dalë por edhe atëherë bota do ketë ndryshuar dhe s’do jemi më të njëjtët”.

Top Channel