Dior bëhet shtëpia e parë e modës që mban një sfilatë pas izolimit.
Ndërsa prezantoi koleksionin e tij të ri, në një pasarelë në Piazza del Duomo, në Lecce, Dior, u bë e para shtëpi e madhe mode që kthehet në sfilatë që kur izolimet për shkak të koronavirusit nisën në Evropë. Sfilata ishte parashikuar të mbahej në maj, por ishte shtyrë më pas për shkak të pandemisë dhe u transmetua online, pa audiencë të pranishme.
“Ka shumë emocion. Ne jemi të lumtur që kthehemi të parët pas izolimit. Unë mendoj se Dior duhej ta bënte këtë sepse është traditë e saj. Vetë shtëpia e modës Dior u lancua menjëherë pas luftës, pas një periudhe të tmerrshme dhe unë besoj se kjo ADN, ky optimizëm, është një dëshirë për të jetuar, për të filluar nga e para”, shprehet CEO-ja i Dior-it.
Përfundimi i koleksionit, gjatë izolimit, ishte një mrekulli, e tani, Dior bëhet edhe e para shtëpi mode që rikthehet me qëllim që t’i japë shpresë artizanëve dhe artistëve të prekur nga kriza.
Fustane të gjata në të gjitha nuancat e të bardhës por edhe ngjyra të tjera, të dekoruar me lule e motive të ndryshme, gruaja e Dior-it shfaqet shumë shik dhe me stil. Në kontrast me gjithçka përreth, ajo shkëlqen dhe madje verbon.
Për Dior, sfilata, pavarësisht se në një vend të zbrazët, ishte një mënyrë nderimi për artistët, muzikantët dhe artizanët, në Francë dhe Itali, që punuan për këto veshje. Pasarelat janë një shprehje themelore e modës. Zëvendësimi i tyre me prezantime online, për Maria Grazia Chiurin, stilisten e Dior-it, nuk ishte aspak bindës.
Top Channel