Ndërkombëtarët e kishin urimin e përbashkët për votimin e kodit të ri zgjedhor me 100 vota në seancën e parlamentit.
“Marrëveshja e 5 qershorit është tani ligj. Përfshirja dhe transparenca duhet të jenë norma për veprime të rëndësishme kombëtare. Është mirë të shohësh që Këshilli Politik të rikthehet për të konsideruar masa shtesë përtej 5 qershorit. Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim, të vazhdojnë përfshirjen dhe transparencën”, shkruan ambasadorja amerikane Yuri Kim në Twitter.
Ndërsa ambasadori i BE-së, Luigi Soreca thotë se BE mirëpret miratimin nga Parlamenti të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në përputhje me marrëveshjen politike të arritur në 5 qershor.
“Kjo përmbush një nga kushtet kryesore për të filluar negociatat e pranimit të Bashkimit Evropian”, thotë Soreka.
Ambasadori i BE-së deklaron se “ne kemi marrë parasysh propozimet shtesë për reformimin e sistemit zgjedhor. Ndërsa pranuam rolin e Parlamentit në paraqitjen e ndryshimeve shtesë në lidhje me sistemin zgjedhor, ne nxisim të gjitha palët të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese demonstruar gjatë miratimit të marrëveshjes politike të 5 qershorit. Procesi që çon në ndryshime shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit”, thotë BE.
Votimin e përshëndet edhe OSBE-ja, Ambasadori Britanik dhe ai Gjerman, si edhe komisionari për Zgjerimin, i Bashkimit Evropian.
Top Channel