Teksa përfaqësuesi i maxhorancës, Damian Gjiknuri deklaroi se opozita nuk është dakord që të flasë për listat e hapura në Këshillin Politik, krejt të kundërtën deklaroi përfaqësuesi i LSI-së Petrit Vasili.

Ai tha për mediat se opozita e bashkuar ishte njohur me çështjen e ndryshimeve kushtetuese para dy ditësh, ndërsa afati kohor i lënë në dispozicion ishin 6 ditë.

“Një çështje tjetër që është hedhur në Këshillin Politik kanë qenë dhe ndryshimet kushtetuese. Që kanë të bëjnë me të ashtuquajtur lista të hapura. Propozimi, fakt i kryer, është depozituar para 2 ditësh në këshill. Dhe ky diskutim është imponuar që të kryhet brenda 6 ditësh. Nëse për kodin elektoral, marrëveshjen e 5 qershorit, u deshën 6 muaj. Kërkohet që kushtetua e vendit të ndryshohet për 6 ditë. Këshilli politik dhe opozita në Këshill mbetet e palëkundur që të diskutojë çdo çështje, por pa logjikën e faktimit të kryer, pa trysni dhe duke i dhënë hapësirë debatit. Keni parë që në emër të popullit, të vullnetit të tij, flasin hajdutët e votave të popullit.”-, tha Vasili.

Përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik Oerd Bylykbashi tha se në mbledhjen e sotme është dakordësuar për pjesën tjetër të marrëveshjes së 5 qershorit që ka të bëjë me veprat penale që dëmtojnë zgjedhjet. Ai akuzoi palën maxhorancën se kërkon t’i heqë mundësinë shqiptarëve që të votojnë një ofertë publike pasi duan pazare me dyer të mbyllura.

“Opozita siç kishte deklaruar zbatoi atë pjesë tjetër të marrëvjes së 5 qershorit për trajtimin e rekomandimeve të ODIHR-it, çështje me shitblerjen e votës dhe çdo vepër penale që dëmton zgjedhjet. Një paketë që sot u dakordësua. Ajo që është miratuar këtu duhet miratuar pa ndryshime. Kjo nuk e përmbyll marrëveshja e 5 qershorit sepse është dhe një çështje tjetër për depolitizimin e administratës zgjedhore.
Ata kërkojnë që t’i heqin mundësinë shqiptarëve që të votojnë një ofertë publike të partive politike, pasi do që të shkojë tek pazaret me dyer të mbyllura”, deklaroi Bylykbashi.

Top Channel